Broja prezanton veten tek Evertoni: Mezi pres të luaj, jam në një klub plot histori

5 Shtator 2024
15:14
Alfred Lleshi
back button

Armando Broja është i etur për të treguar tek Evertoni futbollin e tij më të mirë. Sulmuesi i ri i bluve u zotua të japë gjithçka, për ta çuar klubin drejt një të ardhmeje emocionuese.

22-vjeçari shqiptar përfundoi në këtë klub të Premier League në formë huazimi për një sezon, me opsionin e Evertonit për ta blerë përfundimisht për 30 milionë stërlina. Ai erdhi nga Chelsea në minutat e fundit të ditës së fundit të merkatos verore, të enjten e kaluar.

Me përvojën e dëshmuar të Premier League, në “Stamford Bridge”, te Southampton dhe Fulham, si dhe një periudhë huazimi në Holandë me Vitesse Arnhem, shqiptari mbërrin në “Merseyside” i sigurt se do ta ndihmojë Sean Dyche dhe skuadrën e tij të gëzojnë “shumë ditë më pozitive përpara”.

Broja aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim i këmbës, por kur të jetë plotësisht në formë, la të kuptohej se do të shpërthejë. Ai nuk e fshehu entuziazmin për ta veshur fanellën blu mbretërore dhe bërë përshtypje tifozëve të pasionuar të Evertonit.

“Ndihem mrekullueshëm, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, – tha shqiptari për televizionin e klubit (Everton TV). – Jam shumë i lumtur dhe mezi pres të filloj. Mendoj se Evertoni ka një ekip të fortë, një përzierje lojtarësh të rinj dhe me përvojë. Është një mjedis fantastik për mua të vij të luaj futboll, të luaj në Premier League me një klub si Evertoni. Ky është një klub me një histori të madhe, një top-klub. Është e mrekullueshme për mua që jam këtu.

Si lojtar, veçanërisht si lojtar i ri, je i prirur të ndihesh i kërkuar nga njerëzit dhe kjo është mënyra se si Evertoni më ka bërë të ndihem që nga dita e parë. Këtu më kanë dashur vërtet dhe më kanë thënë pse, kështu që ndihem vërtet i lumtur dhe krenar.

Ndoshta fillimi i sezonit nuk ka shkuar ashtu siç dëshironim, por ne patjetër mund ta kthejmë atë me skuadrën dhe trajnerin që kemi këtu. Sigurisht që ndihem sikur do të ketë shumë ditë pozitive përpara. Personalisht jam fokusuar vetëm në rikthimin në fushë, pas dëmtimit, dhe integrimin me ekipin”.

Broja shtoi: “Dua të lë përshtypje edhe te tifozët, duke shënuar gola, duke krijuar raste, me ritmin e punës pa top, duke qenë agresiv si sulmues dhe ndihmuar skuadrën në çdo mënyrë që mundem.

Dua të hyj dhe të ndërtoj një marrëdhënie të shkëlqyer me tifozët, me shokët e mi të skuadrës dhe me stafin teknik. Kur ndihesh si në shtëpi, je i lumtur, atëherë luan futbollin tënd më të mirë.

Dua të tregoj më të mirën time këtu, dua të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur dhe ta ndihmoj skuadrën të përfundojë sa më lart në Premier League. Shpresoj se mund të kemi një sezon të suksesshëm.

Mendoj se jam një lojtar mjaft i shpejtë. Më pëlqen të vrapoj pas dhe të jem agresiv. Natyrisht, më pëlqen të shënoj gola dhe ta ndihmoj skuadrën. Përfshihem vërtet në lojëra, mund të vrapoj dhe të pres, të jem agresiv edhe pa top. Dua ta shtoj këtë variacion tek Evertoni. Do të jap gjithçka për klubin, për tifozët dhe për shokët e skuadrës”.

I lindur në Slough nga prindër shqiptarë, Broja u rrit në akademinë e Chelsea. Ai bëri debutimin për londinezët kundër Evertonit, në mars 2020, në moshën 18-vjeçare.

Huazimi i suksesshëm te Vitesse, ku përfundoi si golashënuesi më i mirë në sezonin 2020/21, u pasua me kalimin te Southampton, përpara se sulmuesi të nënshkruante një kontratë të re afatgjatë me Chelsea dhe të shënonte golin e tij të parë për blutë e Londrës në fitoren 3-0 ndaj Wolves, në tetor 2022.

Tani duket i gatshëm të lërë gjurmë në sezonin e fundit historik të “Goodison Park”. Broja po përqafon konkurrencën me të cilën do të përballet tek Evertoni me lojtarë si Dominic Calvert-Lewin, Beto dhe Youssef Chermiti.

Ai tha: “Gjëja kryesore që më ra n

ë sy, duke luajtur në ‘Goodison Park’, në të kaluarën, ishin tifozët. Ishin shumë të zëshëm. Duke qenë në ekipin mysafir, atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Është e veçantë dhe mezi pres të jem në anën e duhur të fansave këtë herë.

Këtu është një bazë e mrekullueshme tifozësh, që e do vërtet futbollin. Shpresoj të kem ndikim pozitiv tek ata. Stadiumi ka ekzistuar për një kohë të gjatë, shumë më gjatë se unë. Ka kaq shumë kujtime këtu dhe do të jetë shumë mirë të luajmë, përpara se të lëvizim në impiantin e ri.

Konkurrenca në futboll është gjithmonë e shëndetshme. Të gjithë e dinë se në klubet kryesore, gjithmonë do të keni një numër sulmuesish, që me të vërtetë e sfidojnë njëri-tjetrin. Kjo sjell vetëm të mira te lojtarët, do të sjellë më të mirën edhe tek unë. Shpresojmë që të marrim rezultate sa më pozitive”.

Për rehabilitimin e lëndimit, Broja shtoi: “Po shkon mirë. Shpresoj se mund të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se po shkoj në drejtimin e duhur.

Dua të sigurohem që të shërohem mirë dhe të jem aq i fortë sa të mundem, kështu që jam gati për tifozët dhe shokët e mi. Unë thjesht mezi pres të kthehem në fushë, të vesh fanellën e Evertonit dhe ta shijoj këtë eksperiencë”.

 

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit