Buffon “godet” Italinë: Kampionati francez nuk ka nivel më të ulët se Serie A

16 Maj 2019
9:29
Alfred Lleshi
back button

Gianluigi Buffon ka marrë ofertë për të rinovuar edhe një vit me PSG. Ish-portieri i Juventusit dhe i kombëtares italiane ishte mysafir i “Cattelan”, programit që do të transmetohet në “Sky”, të enjten. Aty konfirmoi se mund të rinovojë kontratën me klubin parizien për të paktën një sezon tjetër.

Me pak fjalë, vullneti për të vazhduar të luajë nga Buffon është i qartë, por tani është në dorë të PSG që t’i bashkojë premtimet me faktet e veprat konkrete: "PSG më ka propozuar rinovimin dhe kjo më bën të lumtur, më kënaq. Do të takohemi për disa ditë për ta diskutuar projektin dhe parë nëse të dyja palët mendojmë se është e drejtë të ecim bashkë përpara".

Ndryshe, Buffon mund ta vazhdojë karrierën e tij kudo, por gjithmonë në Europë dhe me një ekip që luan në Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, portieri veteran mbron futbollin francez, duke siguruar se niveli i Ligue 1 nuk është më i ulët se Serie A: "Ne nga Italia kemi një perceptim të gabuar mbi futbollin francez. Skuadrat si Lille dhe Lyon, në Serie A do të renditeshin me lehtësi në pesë të parat. Eshtë edhe një skuadër si Rennes, kundër të cilës kemi humbur Kupën e Francës”. 

Së fundi, Buffon ka folur për Mario Balotellin, i cili luan në Francë si ai, por me fanellën e Marseille: "Në pjesën e dytë të kampionatit, Mario ka provuar se është ende një lojtar shumë i mirë. Po sillet si një futbollist serioz dhe i pjekur. Kjo është e mirë për të dhe pastaj edhe nga këndvështrimi i kombëtares". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit