Buffon, “sponsori” i Gattusos: Nuk kam kërcënuar me dorëheqje, por nëse shkon keq…

20 Qershor 2025
6:20
Alfred Lleshi
back button

Edhe Gianluigi Buffon ishte i pranishëm në prezantimin e trajnerit të ri të Italisë, Gennaro Gattuso. Shefi i delegacionit të kombëtares italiane ka punuar si një drejtor sportiv i vërtetë gjatë 10 ditëve të fundit, duke zgjedhur trajnerin dhe çuar përpara negociatat në emër të FIGC.

Pse u zgjodh Gattuso?
Kam ndarë shumë eksperienca me Rinon si lojtar, kam luajtur kundër skuadrave të tij. Kur e sfidoja me Juventusin, gjithmonë hasja vështirësi. Pas skuadrave të tij kishte racionalitet dhe punë. Këtë e ndien menjëherë në fushë, çdo herë që kam luajtur kundër Milanit apo Napolit të tij, kam hasur vështirësi. Pastaj, Rino ka atë shpirtin luftarak dhe vendosmërinë e tij karakteristike, kjo nuk i hiqet kurrë. Tashmë ka ndjerë edhe nevojën për t’u përmirësuar, për të evoluar.

Në këtë negociatë është parë një rol qendror i yti? A ke kërcënuar me dorëheqje nëse nuk do të zgjidhej Gattuso?
Si çdo vit, më 30 qershor më skadon kontrata, ndaj çështja e dorëheqjes nuk është vënë kurrë në tavolinë. Zgjedhja e Rinos është bërë në dakordësi me presidentin dhe me të gjithë profesionistët me të cilët konsultohemi. Pastaj, në këtë nivel, nuk besoj se ka trajnerë shumë më të mirë ose shumë më të dobët, por trajnerë funksionalë në raport me momentin që jeton skuadra. Në këtë fazë historike, ky ishte momenti i duhur që Rino të bëhej trajner i kombëtares. Janë përgjegjësi që merren, që i kemi marrë, pastaj koha do tregojë nëse ka qenë zgjedhja e duhur apo jo. Duke njohur veten time, nëse zgjedhja nuk ka qenë e duhura, atëherë bëhet një hap prapa…

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit