Buffon, tepër i zhgënjyer nga dështimi i Italisë në “Euro 2024”. Gati të marrë vendimin ekstrem

3 Korrik 2024
9:15
Alfred Lleshi
back button

Gianluigi Buffon mund të bëjë një hap prapa, pas dështimit të Italisë në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Gjermani. Kreu i delegacionit të kombëtares axurre po reflekton aktualisht për mundësinë e largimit. Atij nuk i ka pëlqyer mënyra sesi Italia e përballoi këtë kompeticion, sidomos mënyra se si iu dorëzua Zvicrës dhe tani është në dilemë për ta mbajtur postin e besuar nga presidenti Gravina.

Buffon dëshiron të kuptojë nëse ekzistojnë apo jo kushtet për të vazhduar të mbulojë një rol që e pranoi rreth 11 muaj më parë. Mbi të gjitha, ai dëshiron të kuptojë nëse ekziston mundësia për t’i dhënë ndihmë konkrete kombëtares së ardhshme dhe për të qenë realisht burim frymëzimi (jo barrë).

I rritur në mitin e Rivës, kreut të delegacionit të kampionëve të Kupës së Botës të Italisë në vitin 2006, Buffon nuk do ta ketë problem të largohet nëse reflektimi me veten nuk i jep përgjigjet që kërkon. Edhe për të, me sa duket, më shumë se një gjë nuk funksionoi në Gjermani. Ai nuk dha kontributin që mendonte se mund të jepte dhe këtë do ta diskutojë me presidentin federal Gabriele Gravina.

Nëse do të ndërmerrte një hap prapa, Buffon do të ishte i pari që do të bënte një gjest konkret marrje përgjegjësie pas Kampionatit të tmerrshëm Europian të luajtur nga axurrët. Megjithatë, nuk është një “rrufe në qiell të hapur”, sepse tashmë të hënën, sapo u kthye në Itali, kreu i delegacionit axurr nuk e fshehu zhgënjimin e tij për atë që sapo kishte ndodhur: “Grupi mund të kishte bërë më mirë, si të gjithë ne. Në raport me pritshmëritë mendoj se kemi zhgënjyer. Të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë për rastin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit