Cafú “vë bast”: Sa më shumë brazilianë në Premier League, aq më pak shanse kemi për ta fituar Botërorin

29 Qershor 2024
17:15
Alfred Lleshi
back button

Brazili vazhdon të luajë në “Copa América”, kompeticionin që përfaqëson një fazë të re për kombëtaren jeshilartë. Në kërkim të liderëve dhe lojtarëve të rinj, që duhet të fillojnë të dallohen, ky kompeticion është një provë e mirë për kualifikimin në Botërorin 2026. Në Brazil, disa legjenda hedhin dyshime për të ardhmen e kombëtares së tyre në Kupën e Botës. Ky ka qenë rasti i Cafú, mbrojtësi i djathtë historik që tregon shqetësimin personal se kur do ta shohë “Selecao” me një yll më shumë në fanellë.

Ish-lojtari brazilian, i cili fitoi dy Kupa Bote (1994 dhe 2002, si dhe ishte nënkampion bote më 1998), ishte kritik ndaj zgjedhjes së disa prej bashkatdhetarëve të tij për të preferuar Premier League si destinacion të zhvillimit të karrierës: “Kam frikë se sa më shumë brazilianë të kalojnë në Premier League, aq më pak shanse do të ketë Brazili për të fituar Kupën e Botës”.

Në fakt, ai që konsiderohet nga shumë njerëz si mbrojtësi i djathtë më i mirë në histori, ka kritikuar edhe opinionin e mediave, që i ngre lojtarët e kombëtares braziliane në një pozicion që jo gjithmonë iu korrespondon atyre: “Imagjinoni t’ju shpërlahet truri nga mediat çdo javë se jeni më i miri në botë, ndërkohë që nuk jeni as afër këtij statusi”.

Me një karrierë të gjatë në Europë, duke luajtur në Itali për ngjyrat e Romës dhe Milanit në më shumë se 300 ndeshje, Cafú gjithashtu donte të lavdëronte konkurrencën e divizionit të parë spanjoll (La Liga). Madje, në deklaratat e tij ka treguar preferencën karshi La Liga-s si destinacion: “Unë preferoj La Liga-n, sepse ka një mentalitet të lartë për të arritur në finale dhe për t’i fituar ato. Në La Liga nuk ka kush gojë që të dalë para kamerave televizive e të thotë gënjeshtra për lojtarët spanjollë, apo t’i promovojnë ata në botë. Aty flasin për futbollin, jo për mite”.

Në sezonin 2023-2024, lojtarët brazilianë ishin ndër më të shumtët në Premier League, me gjithsej 30 lojtarë nga vendi i Amerikës së Jugut, pothuajse dyfishi i atyre që ishin në La Liga gjatë gjithë sezonit, gjithsej 16 të tillë.

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit