Përfundoi seria e 17 penalltive të suksesshme radhazi për Hakan Calhanoglu. Mesfushori turk, mbrëmë ndaj Napolit, humbi goditjen nga pika e bardhë kur rezultati ishte 1-1, sikurse edhe përfundoi, pasi ishte treguar “snajper” 17 herë radhazi më parë.
Nga ana tjetër, ish-lojtari i Milanit konfirmoi se ka një “huq” të keq ndaj Napolit. Blutë janë në fakt skuadra e vetme ndaj të cilës turku ka shënuar më shumë se një gol, duke goditur nga jashtë zonës, me fanellën e Interit. Goli i mëparshëm datonte 3 dhjetorin e kaluar, jashtë fushe.
Një gol i shënuar dhe një penallti e humbur, e para në Serie A. Hakan Calhanoglu ka folur kështu pas ndeshjes ndaj Napolit: “Ne e dominuam ndeshjen, merituam më shumë se barazimi. Ishim të pafat, më vjen keq që humba penalltinë e parë. E dija që do të ndodhte një ditë, por nuk doja ta humbisja sonte.
Më duhet të ngrihem menjëherë, sepse kampionati është në kulmin e vet. Ishte ende një ndeshje intensive ndaj Napolit, me shumë duele. Gjithmonë i kërkuam me pasime sulmuesit tanë në pjesën e dytë, por nuk ishim në gjendje të shënonim.
A e prisja këtë bilanc të kampionatit? Shumë skuadra janë forcuar. Ne jemi të njëjtët, por kemi ende shumë për të bërë. Duam të qëndrojmë në majë, por luajmë çdo tri ditë. Nuk është e lehtë të luash të mërkurën kundër Arsenalit dhe tri ditë më pas ndaj Napolit. Sigurisht, nuk ishte e lehtë”.