Hakan Calhanoglu është gati për debutimin e tij në kampionat, kundër Genoa: “Fitimi i titullit ishte i bukur, por për ne do të jetë e rëndësishme ta konfirmojmë atë, sepse kundërshtarët do të jenë edhe më të vendosur për të na mundur. Këto ditë është shumë nxehtë, mjaft e vështirë të punohet, por jemi gati për të shtunën. Gjëja më e rëndësishme do të jetë që të kemi të njëjtën vendosmëri si sezonin e kaluar, të dëshirojmë të fitojmë përsëri”.
Mesfushori turk i rikthehet ofertës që mori kësaj vere nga Bayern Munich: “Nuk e kam menduar kurrë të largohem nga Interi. Jam një person i heshtur, më pëlqen të punoj dhe të përmirësohem, por në këtë rast fola qartë dhe të gjithë u qetësuan”.
Në intervistën për “Sky”, mesfushori zikaltër foli për disa bashkëlojtarë, duke nisur nga kapiteni: “Uroj që Lautaro Martinez të fitojë ‘Topin e Artë’, të gjithë jemi me të. Ai di t’i menaxhojë shokët e skuadrës, shënon dhe gjithmonë bën diçka të re. Taremi do të na bëjë shumë punë, vrapon, punon, mbrohet dhe është i fortë para portës”.
Së fundi, për objektivat sezonalë: “Shpresoj të përsërisim veten. Ta rikonfirmojmë veten është më e vështirë, por besoj tek ky Inter. Ne kemi mentalitetin e duhur, kanë ardhur edhe lojtarë të rinj, shumë të fortë. Në fund të sezonit do të jem i lumtur nëse fitojmë gjithçka”.