Inter i është rikthyer stërvitjes pas zhgënjimit në finalen e Superkupës, për të përgatitur takimin e radhës. Trajneri Simone Inzaghi po e projekton skuadrën drejt rifillimit të kampionatit, pasi kjo është një periudhë e ngjeshur mes kampionatit dhe Champions League.
Ndërkohë, testet mjekësore për Hakan Calhanoglu dhe Correa kanë përjashtuar ndonjë problem të theksuar, por të dy do të mungojnë të dielën. Mungesa e turkut është padyshim më e rëndësishme, por pa ndonjë surprizë, ai do të rikthehet nga mesi i javës së ardhshme.
Pavarësisht kritikave për paraqitjen e tij të dobët kundër Milan, zëvendësuesi i tij natyral mbetet Kristjan Asllani. Megjithatë, ekziston edhe mundësia që Zielinski të shihet sërish në atë rol, siç ka ndodhur ndaj Juventus. Në mbrojtje, progresi i Pavard dhe Acerbi, të cilët qëndruan në Itali për të përfunduar rikuperimin e tyre, do të duhet të verifikohet në fushë.
Pavard do të grumbullohet për ndeshjen kundër Venezia (do të jetë në stol), gati për të luajtur në pjesën e dytë. Për Acerbi, synimi është rikthimi ndaj Bologna në mesjavë. Thuram është në dispozicion dhe sulmuesi zikaltër pritet të luajë me Lautaro.







