Interi është ndër pesë skuadrat më të forta në botë. Ky është konkluzioni i Hakan Calhanoglu, i cili dje u rendit i 20-ti në klasifikimin përfundimtar të “Topit të Artë”, 13 vende prapa Lautaro Martinez (vendit të 7-të).
I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, mesfushori turk dha sinjale për rikthimin e tij në fushë, pas dëmtimit: “Shpresoj të kthehem së shpejti, mendoj se mund të jem në dispozicion që të dielën”. Turku do të mungojë në ndeshjen e nesërme ndaj Empolit dhe realisht do të jetë në pankinë ndaj Venezias.
Ish-lojtari i Milanit u rikthye pas, te barazimi 4-4 i mbrëmjes së të dielës në “San Siro” kundër Juventusit. Ndeshja argëtuese për tifozët neutralë: “Mendoj se po, ishte ndeshje argëtuese për tifozët e futbollit, por jo aq për ata të Interit, që panë t’iu ikte fitorja nga duart.
Më vjen shumë keq që nuk munda të jap kontributin tim për shkak të dëmtimit. Gjithsesi, bashkëlojtarët e mi luajtën një ndeshje të mirë, ndeshjet derbi janë të tilla, të paparashikueshme. Për ne, sfidat ndaj Juventusit janë derbi”.
Katër gola të pësuar, veçanërisht duke marrë parasysh që Interi ishte në avantazhin 4-2 në pjesën e parë, duken si shumë. “Ne ishim pak të pafat, – vazhdoi Calhanoglu. – Ishte një ndeshje që mund ta kishim fituar, e balancuar. Mund të kishim shënuar 7-8 gola, siç tha Inzaghi, por ndoshta edhe bardhezinjtë mund t’i shënonin”.
Në mungesë të tij në derbin e Italisë, i sapoardhuri Piotr Zielinski nuk zhgënjeu, pasi u vendos në vendin e turkut, në “kullën e regjisë”. Këtë e konfirmon edhe Hakan: “Ai bëri mjaft mirë. Nuk ishte e lehtë të luante në atë rol pas vitesh duke bërë diçka tjetër në fushë.
Piotr bëri një punë të shkëlqyer, dha një ndihmesë të rëndësishme për ekipin, e përgëzoj. Ai shënoi edhe dy gola nga penalltia, jam i lumtur, sepse do të thotë që edhe dikush tjetër mund të gjuajë saktë në vendin tim, nga pika e bardhë (qesh)”.