Capello analizon çerekfinalen italiane në Champions: Napoli është favorit ndaj Milanit, por kujdes ata të dy…

18 Mars 2023
8:57
Alfred Lleshi
back button

“Mendoj se të tria skuadrat italiane ishin me fat në shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Interit mund t’i kishte rënë shumë më keq. Milani dhe Napoli njihen, do të përpiqen të eliminojnë njëri-tjetrin.

Do të jenë shumë të kujdesshëm, është derbi europian i shtëpisë”, – analizon Fabio Capello për “Corriere dello Sport”. Ky është mendimi i tij i parë, pas shortit të raundit të rëdhës së Champions League.

“Don Fabio” shton më tej: “Fakti që përballen dy skuadra italiane luan në favor të Napolit, të paktën në çerekfinale. Palët dinë gjithçka për njëra-tjetrën, prandaj faktori ndërkombëtar ka një ndikim relativ”.

Capello vijon duke artikuluar përgjigjen e mëpasshme për kalimin e turit. Mes Milanit dhe Napolit ai zgjedh: “Napoli do të fitojë. Por kujdes: shumë do të varet nga forma e Theos dhe Leaos në mes të prillit. Ata të dy mund të hedhin në erë çdo parashikim, të prishin ekuilibrat”.

“Shorti për çerekfinalet e Champions League e bën më të lehtë një finale të mundshme me një nga skuadrat italiane, – shkruan “Corriere della Sera”. – Do të kemi të paktën një skuadër në gjysmëfinale dhe nëse Interi, i cili tashmë ka mundur Porton, arrin të eliminojë Benfica, mund të shohim një në finale siç nuk ka ndodhur që nga viti 2017, me Juventusin e mundur nga Ronaldo dhe Real Madridi i Zidane.

Napoli-Milan do të jetë një shfaqje emocionuese. Interi, ashtu si Juve në ‘Europa League’ dhe Fiorentina në ‘Conference League’ do të duhet të përballen me një kalendar shumë të ngjeshur. Në prill, përveç çerekfinaleve të Champions League, janë planifikuar edhe gjysmëfinalet e Kupës së Italisë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit