Capello: Mungesa e Ibrahimovic në “skenë”? Ndoshta për t’i dhënë më shumë autoritet trajnerit Fonseca

19 Tetor 2024
12:02
Alfred Lleshi
back button

Mes shumë çështjeve që shqetësojnë Milanin në periudhën e fundit, është ajo e mungesës së shpeshtë të Zlatan Ibrahimovic në “apel” dhe se cili është realisht roli i tij. Dikush që e njeh shumë mirë, Fabio Capello, foli për këtë në një intervistë dhënë “Gazzetta dello Sport”: “Më rastisi ta pyesja Ibrën në TV se cili ishte saktësisht roli i tij, sepse nuk isha shumë i qartë. Ai thjesht m’u përgjigj: Unë jam shefi”.

Po sikur mungesa e suedezit në “skenë” të jetë për t’i lënë fushë të hapur Fonseca? Ja përgjigja e Capello: “Ky është një çelës interpretues, që më pëlqen. Do të isha dakord nëse Ibra ka vepruar me këtë qëllim, për të mos e eklipsuar trajnerin. Nuk mund të jetë gjithmonë klubi që ngre zërin, përndryshe trajneri duket si një statujë e bukur, duke humbur besueshmërinë përpara lojtarëve.

Megjithatë, Fonseca e ka bërë të ditur se tani e tutje nuk do të shikojë askënd nga emri, por do të bëjë përgjegjës cilindo që gabon. Një mesazh që i duhej kësaj skuadre të Milanit, – vijon Capello, – të paktën nga ajo që mund të kuptoj nga jashtë.

Është e drejta e trajnerit për të kërkuar nga skuadra e tij atë që ka në mendje, me një autoritet të caktuar. Siç tha vetë Fonseca në konferencën e djeshme për shtyp, është koha që lojtarët e Milanit të marrin përgjegjësitë, sepse veshin një fanellë kaq të rëndësishme.

Pas humbjes në Firence, shumë e kishin qortuar trajnerin kuqezi për mungesë autoriteti. Dhe sinqerisht, duke parë kaosin te dy penalltitë e humbura, dyshimi ishte legjitim. Epo, konferenca e djeshme për shtyp është sinjal i qartë në këtë kuptim: Unë jam trajneri dhe i marr vendimet, lojtarët duhet të përshtaten.

Mos mendoni se Fonseca doli në konferencë për të bërë shfaqjen, vetëm për hir të saj. Jam i sigurt se ai kishte përdorur fjalë po aq të ashpra brenda dhomës së zhveshjes, duke i qortuar në fytyrë lojtarët”.

Për stolin e mundshëm të Leaos në ndeshjen e sotme kundër Udinese, Capello shtoi: “Nëse Fonseca beson se është mirë për Milanin, është e drejtë që të marrë edhe vendime të forta, si për shembull të mbajë jashtë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit.

Nuk e di nëse e bën për arsye sjelljeje, nëse nuk i ka tretur dot disa fraza të Leaos nga kombëtarja, apo thjesht për arsye tekniko-taktike e rotacioni, por gjithsesi është legjitim. Unë besoj se Paulo meriton apriori një bravo për guximin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit