“Le ta nisim nga një premisë: në një kampionat që zgjat 38 javë, përshtypja e parë nuk është ajo që ka rëndësi”. Fabio Capello niset nga ky koncept, kur u intervistua nga “Gazzetta dello Sport” për të analizuar fillimin e Interit në kampionatin e ri, i bllokuar në barazimin 2-2 nga Genoa.
“Duke thënë këtë, të shtunën pashë vetëm një lojtar që ishte në rritje në raport me Interin e titullit të yllit të dytë, Thuram. Duhet të pranoj se kjo më befasoi, duke pasur parasysh Kampionatin Europian nën nivelin e kërkuar, të luajtur nga francezi.
Megjithatë, shokët e tjerë të skuadrës ishin mjaft larg ritmit dhe agresivitetit të skuadrës që dominoi sezonin e kaluar. Të presim e të shohim se sa kohë do t’i duhet Interit për t’u rikthyer në nivelin e sezonit të kaluar. Për mua është thelbësore që Lautaro, Barella dhe Calhanoglu të jenë sërish të uritur”, – shtoi “Don Fabio”.
A duhet të shqetësohet Inzaghi?
Në fillim të sezonit ndikojnë shumë faktorë, para së gjithash gjendja fizike. Lautaro, mes Kupës së Amerikës dhe rifillimit të hershëm të stërvitjeve, praktikisht nuk u ndal të pushonte sa duhet. Calhanoglu luajti një Kampionat Europian të mirë, duke arritur në çerekfinale. Rreziku, nëse ka ndonjë gjë, qëndron diku tjetër.
Ku?
Nuk do të doja që tre liderët zikaltër dhe rrjedhimisht pjesa tjetër e lojtarëve, t’iu qaseshin ndeshjeve si në fund të sezonit të kaluar, kur titulli ishte fituar. Kundër Genoa pashë një ekip që e mbivlerësoi veten dhe i nënvlerësoi lojtarët kundërshtarë. Dukej se lojtarët e Interit mendonin se do të fitonin lehtësisht.