Capello ‘paralajmëron’ Juventusin: Kështu po e rrezikon shumë kualifikimin në Champions

25 Mars 2024
10:33
Alfred Lleshi
back button

Duke lënë mënjanë angazhimet e Italisë në turneun amerikan, është koha që lojtarët të kthehen të mendojnë për vështirësitë e kampionatit. Në rastin e Juventusit, një objektiv mjaft i rëndësishëm është ende në lojë.

Bardhezinjtë janë thirrur të rikuperohen, në mënyrë që të mos komprometojnë më tej kualifikimin e tyre në Ligën e Kampionëve (edicioni i ardhshëm). Danilo dhe shokët e tij do të priten nga Lazio e trajnerit të ri Igor Tudor, i zgjedhur nga Lotito për të marrë trashëgiminë e Sarrit, pas dorëheqjes së këtij të fundit.

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello paralajmëroi bardhezinjtë për rrezikun e një ngadalësimi të mëtejshëm, që do të vinte në pikëpyetje arritjen e një objektivi të konsideruar si prioritet; pa harruar një konsideratë për dy sulmuesit më të përfolur, pikërisht Vlahovic dhe Chiesa.

“Lazio-Juventus? Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e rëndësishme për të dy trajnerët. Tudor duhet ta fillojë mirë, por Massimiliano Allegri duhet patjetër të marrë pikë, përndryshe rrezikon kualifikimin në Champions League. Nëse Juve do të vazhdojë edhe kësaj here pa fitore, laku do të shtrëngohej. Ju siguroj se frenimi, kur merr të tatëpjetën në futboll, është mjaft i komplikuar”, – tha “Don Fabio”.

Një mendim edhe për sulmuesin serb, Vlahovic: “Mungesë e rëndë, e cila i shtohet asaj të Milik. Trajneri Allegri si qendërsulmues në “Olimpico” do të ketë vetëm Kean, i cili nuk ka luajtur një ndeshje të plotë prej muajsh. Mënyra me të cilën Vlahovic u përjashtua me karton të kuq ndaj Genoa më ngriti dyshime: pse ka nervozizëm?”

Po situata e Federico Chiesa: “Nuk po shoh një Chiesa të keq. Ai është shumë aktiv, punon shumë, ndoshta është pak i nxituar në zgjedhjet e tij, por ndodh pikërisht sepse dëshiron të lërë gjurmë. E di që është kritikuar, por nuk jam dakord”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit