Fabio Capello, duke folur për “Gazzetta dello Sport”, u ndal te ndeshja e së dielës mes Interit dhe Napolit në “San Siro”: “Jam i bindur se ndeshja e së dielës do të jetë një provë shumë, shumë e rëndësishme, veçanërisht për Napolin.
Nuk e them këtë sepse blutë rrezikojnë të humbasin kreun e renditjes, të cilin mund ta pushtojë Interi. Kjo ndeshje, për Conte dhe skuadrën e tij, peshon veçanërisht, sepse vijnë pas disfatës së keqe në “Maradona”, kundër Atalantës.
Për duelin mes Inzaghit dhe Conte, ish-trajneri ekspert shtoi: “Duel magjepsës, sepse garojnë dy trajnerë fitues, të cilët përjetojnë momente shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Conte po e rindërton Napolin, po përpiqet ta rikthejë në majë sipas parimeve të tij. Nga ana tjetër, loja, intensiteti dhe shpirti i titullit të yllit të dytë spikasin tek Interi.
Inzaghi jeton si favorit i përjetshëm. Që kur ka ardhur në stolin e Interit ka drejtuar ekipin më të fortë në Serie A, ndaj është i dënuar të fitojë. Nuk ka alternativë tjetër, por ka treguar se di ta mbajë mirë presionin”.
Një mendim për angazhimin europian të zikaltërve dhe freskinë më të madhe fizike të napolitanëve: “Kupat e Europës t’i shterrojnë energjitë fizike dhe mendore. Megjithatë, Interi ka gjetur ekuilibrin e duhur, sepse Inzaghi bën rotacione në formacion, pa humbur në performancë dhe rezultate. Skuadra zikaltër po ecën shumë mirë edhe në Ligën e Kampionëve. Fitorja e fundit kundër Arsenalit i jep eufori të gjithë mjedisit, rrit ndërgjegjësimin e lojtarëve të Interit”.
Inter-Napoli do të jetë edhe një sfidë më vete mes Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku: “Argjentinasi duket i rigjeneruar nga golat e fundit, ndërsa belgu po vuan në këtë fazë. Sidoqoftë, do të nguroja të jepja gjykime finale në këtë pikë të sezonit. Kampionati është i gjatë, Interi mbetet ekipi për t’u mundur”.