“Me një renditje të vetme, të gjitha ndeshjet do të jenë të rëndësishme, nuk do të ketë më sfida të kota. Do të jetë e vështirë të bëhen llogaritë për kalimin në raundin tjetër. Nuk ka dyshim se formati i ri do të ketë ndikim shumë të rëndësishëm në kampionatet kombëtare. Për ata që synojnë të fitojnë Champions League do të jetë thelbësore të kenë skuadra të kompletuara, të bëjnë rotacione”. Kështu e analizon Fabio Capello, në një intervistë për “Corriere della Sera”, Champions-in e ri që do të startojë shumë shpejt.
Le ta fillojmë nga lart. Real Madridi ka humbur Kroos, por ka shtuar Mbappe. A nuk ndryshon produkti?
Madrilenët mbeten favoritët. Mbappé, me cilësitë që ka, do të përshtatet shpejt në sistemin e lojës. Pastaj, Ancelotti është shumë inteligjent dhe do ta bëjë atë të shkarkojë disa përgjegjësi. Mungesa e një metronomi si Kroos, dëmtimi i Camavinga dhe Bellinghamit… Janë mungesa aktuale që mund të shkaktojnë disa probleme.
A po shkon cikli i Guardiolës te Manchester City drejt perëndimit?
Nuk e di nëse do të jetë vërtet viti i tij i fundit, por lojtarët mund të duan të bëjnë diçka të pabesueshme për shkak të kësaj. Unë i shoh ata si shumë agresivë dhe kompaktë. Lojtarë si Rodri apo De Bruyne kanë shumë krenari. Pastaj Haaland, që shënon pa fund gola. Nuk do të jetë e lehtë t’i mposhtë kush ata.
E fillojmë menjëherë me Manchester City-Inter. A mendoni se distanca mes dy skuadrave nga finalja e Stambollit është ngushtuar më tej?
Mezi po e pres këtë ndeshje. Më kanë mbetur në kokë 20 minutat e fundit të finales së Stambollit, do të doja ta shihja nëse distanca është ngushtuar vërtet, siç dukej në atë pjesë të fundit të finales.