Capello zbulon problemin e futbollit italian, ka lidhje me Guardiola-n

7 Tetor 2022
14:20
Denis Hakanaj
back button

Në prag të ndeshjes së madhe të Serisë A mes Milan-it dhe Juventus-it të kësaj të shtunë, Fabio Capello, ish-trajner i të dy ekipeve, ka dhënë një intervistë për La Stampa.  don Fabio ka folur për tema të ndryshme nga kampionati italian deri te stili i lojës që shihet në Serinë A.

Për sfidën mes Djallit dhe Zonjës: “Jam i lidhur me të gjitha ish-skuadrat e mia. Kjo sfidë ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Juventus ka qenë gjithmonë kundërshtari për t’u mundur në kohën time. Megjithatë, renditja do t’i heqë pak magji sfidës”, ka thënë Capello.

Për lojtarët individualisht dhe ndeshjet e Champions-it: “E patë Di Maria-n kundër Maçabi-t? Mund të flasësh për skema dhe lojë, por diferencën e bëjnë gjithmonë lojtarët: një lojtar i madh mbase nuk bën shumë gjëra, por prek tre topa dhe ndihmon shokët e skuadrës të shënojnë”.

Për Milan-in: “Milan ka humbur në Londër, por luan mirë. Do të kërkojë të bëjë ndeshjen. Juventus do të mendojë më shumë për ta kontrolluar dhe për të përfituar nga vështirësi të mundshme”.

Për futbollin italian dhe duke bërë një krahasim me lojën angleze dhe të Guardiola-s me City-n: “Kemi kopjuar gjërat më të këqija të ‘guardiolizmit’, zotërimi i topit dhe pasimet në krahë: tani ai është evoluar, ka përfshirë qendërsulmuesin, dhe ne u kemi hequr çdo përgjegjësi lojtarëve që duke kaluar topin nga krahët nuk rrezikojnë më”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit