Milani shkon në “Harvard”. Universiteti amerikan ka publikuar një studim të gjerë mbi klubin kuqezi. Në të përfshihen edhe disa deklarata të Gerry Cardinale, pronari i “Djallit”: “Kur blemë Milanin, shumë pronarë të skuadrave sportive amerikane më telefonuan për të më thënë: A je i çmendur?
Më thanë se nuk mund të bësh biznes në Itali dhe është e pamundur të fitosh para në futbollin europian. Shumica e atyre që investojnë në klube sportive e bëjnë këtë sepse janë të përfshirë emocionalisht.
Vendosin fitimin e kampionateve mbi gjithçka tjetër, kjo shpesh i çon në gabimin e të menduarit se shpenzimi i tepërt për të ndërtuar një skuadër me yje është në mënyrë lineare i lidhur me fitoren. Sidoqoftë, kjo është gjëja më e keqe që mund të bësh si investitor.
Titulli i fituar me Piolin si trajner: “Pasioni i tifozëve ishte i pabesueshëm. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë. I dërgova fotot ekipit tim në Nju Jork dhe i thashë: Është më mirë që të përgatiteni”.
Kushtet e blerjes së Milanit: “E blemë për një shumë që korrespondonte me 3.6 herë të të ardhurave të klubit. Pronarët e rinj të Chelsea e blenë për një shumë që ishte shtatëfish i të ardhurave. Mendoj se Milani ka potencialin të bëhet një klub prej 5 miliardë eurosh”.
Zgjedhja e Furlanit si drejtor ekzekutiv: “Do të kisha mundur të punësoja dikë nga futbolli europian, por Giorgio mendon si ne te ‘RedBird’. Ai, si Stefano Cocirio, është një farë unike për futbollin europian: i ri, i lirë nga të vepruarit vetëm sepse ‘gjërat gjithmonë janë bërë kështu’, ka një formim si investitor, italian, por i edukuar dhe i formuar në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Kam kuptuar që elementi më i rëndësishëm i rolit të CEO-s në futbollin europian është përgjegjësia financiare dhe aftësia për të integruar performancat në fushë dhe jashtë saj. Sjellja e një sofistikimi financiar të disiplinuar në tregun e transferimeve dhe mbajtja e një pozicioni pozitiv të fluksit të parasë; kjo është baza e tezës sonë të investimit, këtu hyn edhe Giorgio. Unë nuk po përpiqem ta amerikanizoj Milanin”.
Në studimin e gjatë të përgatitur nga Universiteti i Harvardit për kuqezinjtë, Cardinale shpjegon projektin e tij: “Po përpiqem të sjell disa elementë amerikanë që mund ta çojnë Milanin në nivelin tjetër në mënyrë konstruktive. Po investohem edhe te strategjitë e Serie A. Jam kurioz të shoh si mund t’i ndihmojmë klubet italiane të negociojnë marrëveshje mediatike ndërkombëtare”.
Mbi marrëdhëniet me futbollin italian dhe europian: “Në SHBA ka marrëdhënie të ndryshme mes pronarëve të skuadrave dhe ligave. Këtu ka më shumë nivele: Serie A, Federata Italiane e Futbollit (FIGC), UEFA, FIFA… Pikërisht këtu qëndron kurba ime e të mësuarit. Në vendin tim mund ta bëja këtë me sytë mbyllur”.
Gjatë studimit, Cardinale foli gjithashtu për titullin e fituar nga Interi sezonin e kaluar, pak para fundit të epokës “Zhang”. Edhe pse pronari kuqezi përmend drejtpërdrejt klubin zikaltër, referenca ndoshta i referohet më shumë pronësisë së mëparshme: “Fitimi i kampionateve është sigurisht një objektiv i rëndësishëm. Ama, duhet ta balancosh këtë me ‘fitimin inteligjent’.
Interi e fitoi titullin vitin e kaluar dhe pastaj falimentoi… (ky koment i referohet situatës financiare të Steven Zhang, që dorëzoi kontrollin tek Oaktree, dhe jo klubit në vetvete). A është kjo, ajo që duam vërtet? Për tifozët, puna ime është të fitoj kampionatin italian çdo vit, e kuptoj. Për investitorët e mi, që fokusohen në vlerën përfundimtare, puna ime është ta pozicionoj Milanin për të konkurruar për titullin çdo vit, për ta kualifikuar çdo vit në Champions League dhe për të shkuar sa më larg të jetë e mundur në Champions League.
Kjo nënkupton maksimizimin e fluksit të parasë dhe vlerën e markës. Është qëndrueshmëria dhe amplituda më e vogël në luhatjet e performancës që maksimizon vlerën dhe, në fund të fundit, jetëgjatësinë”.
Në lidhje me vështirësitë e operimit në Itali, Cardinale tha: “Presioni mediatik atje është intensiv. Kam ndalur së lexuari gazetat, sepse shpesh sajojnë gjithçka. Edhe qeveria nuk ndihmon. Kohët e fundit hoqi përfitimet tatimore për pagimin e lojtarëve, duke e bërë edhe më të vështirë konkurrimin me kampionatet e tjera. Futbolli është një nga eksportet më të mëdha të Italisë, por nuk vlerësohet sa duhet”.
Në fund, Cardinale bëri një krahasim mes menaxhmentit aktual kuqezi dhe atij të epokës së Berlusconit: “Ajo që Berlusconi bëri me Milanin më kujton atë që George Steinbrenner bëri me New York Yankees: blinin kampionate (duke blerë lojtarët më të mirë në botë) për të fituar tituj. Në vitet ’80 dhe ’90 kjo ishte e mundur, por sot duhet të shpenzojmë çdo euro në mënyrë më të zgjuar për të konkurruar me klubet nga kampionate më të pasura”.