Spanjë-Angli është ndeshja që presin të gjithë futbolldashësit, për të cilën numërimi mbrapsht vazhdon. Një finale, ajo e Europianit 2024 në Berlin, e padiskutueshme për këdo, tifozë dhe të paanshëm.
Me afrimin e ditës së të vërtetës për dhënien e titullit, Dani Carvajal ka dhënë një intervistë për “El Chiringuito TV”. Në të ka treguar se si do të sillet me bashkëlojtarin e tij te Real Madridi, Jude Bellingham, mesfushorin e “Tre Luanëve”.
“Nuk kam folur me Bellingham, do t’i dërgoj një mesazh para ndeshjes… dhe të dielën do të përqafohemi. Do t’i uroj më të mirën, ka shumë respekt dhe admirim mes nesh”, – filloi mbrojtësi spanjoll.
Nëse fiton “Euro 2024”, a do t’ia rrëmbejë “Topin e Artë” atij? Përgjigja e Carvajal ia vlen të shijohet: “Nëse ia heqim nga duart Kampionatin Europian, më mjafton kaq (qesh). As që e mendoj ‘Topin e Artë’, votuesit do të vendosin se kush është lojtari më i mirë i vitit”.
Më tej pyetja: Nëse do të ishit kapiten dhe do të votonit me 5, 3 dhe 1 pikë për ‘Topin e Artë’, si do ndaheshin votat tuaja? Ja përgjigja e spanjollit: “Është e komplikuar, sepse dua të zgjedh veten dhe dikë tjetër. Cilin? Rodrin. Do t’i jepja 3 pikë atij dhe 1 pikë për Joselu (qesh).
Ai nuk zgjodhi Vinicius apo Bellingham: “Jo, sepse dua të fitoj Kampionatin Europian (qesh). Vini dhe Bellingham me të vërtetë e meritojnë ta fitojnë ‘Topin e Artë’. Pse jo edhe unë? Titujt kolektivë vlejnë më shumë, sidomos pas një edicioni të shkëlqyer”.