CAS nuk e “shpëton”, PSG duhet të gjejë 150 milionë euro në vit!

20 Mars 2019
11:43
Alfred Lleshi
back button

Një lajm i mirë për PSG. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) i dha të drejtë të martën, në apelin kundër hetimit të UEFA-s. Në diskutim ishte “fair play financiar”, hapja e një hetimi financiar karshi klubit kampion të Ligue 1. CAS vendosi që PSG ka të drejtë dhe ka urdhëruar UEFA-n të mos e rihapë më çështjen në fjalë. 

Në “lupë” do të kalonin transferimet e Kylian Mbappé, Neymar dhe ndoshta Leandro Paredes, por edhe pagat e tyre stratosferike. Megjithatë, për të respektuar “pikën e ndarjes”, të vendosur nga UEFA, drejtuesit parizienë do të duhet të gjejnë burime të reja financiare, për t’i amortizuar të gjitha këto shpenzime. Sipas “L'Equipe”, ata duhet ta bëjnë këtë përmes gjenerimit të 150 milionë eurove në vit të ardhura.

Kjo nënkupton se shitjet e lojtarëve janë të pashmangshme, ose nënshkrimi me sponsorë të rinj. Në muajt e fundit, klubi nga “Parc des Princes” po punon me zell për opsionin e dytë. Sponsori i tyre i ri i fanellës, grupi i hoteleve “Accor”, do t'u sjellë një shifër të çmuar financiare (më shumë se 50 milionë euro në vit). Sidoqoftë, vetëm kjo kontratë nuk mund t’i largojë implikimet e “fair play financiar”. 

E përditshmja sportive kujton se Katari, nëpërmjet “Qatar Investment Authority”, është aksionar në zinxhirin e hoteleve “Accor”, me një përqindje prej 10.44%. Ky lloj konflikti interesi i kishte kushtuar PSG një ndërprerje të sponsorizimit të mëparshëm, gjë me të cilën po merret UEFA. Për këtë arsye, duhen burime të reja të ardhurash. Kjo do të thotë se, pavarësisht se fitoi apelimin në CAS, klubi i PSG ka më shumë punë për të bërë, që të jetë në rregull me financat.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit