Casado “fluturon lart”: Nuk është utopike të besojmë se mund ta fitojmë Champions League

27 Dhjetor 2024
9:15
Alfred Lleshi
back button

Intervistë e gjatë e dhënë për “Mundo Deportivo” nga Marc Casado, mesfushori 21-vjeçar i Barcelonës, i cili sapo ka rinovuar kontratën me ekipin e drejtuar nga Hans Flick deri në vitin 2028:
“Sezoni im debutues me ekipin e parë? Në fillim dukej e ndërlikuar, por gjithmonë kam ëndërruar për ta arritur këtë gjë. E rëndësishme ishte të vazhdoja të luftoja dhe të shfrytëzoja mundësinë kur ajo erdhi”.

Edhe pse pranon se ka ende hapësira për përmirësim personal, si aftësia për të shënuar, ai e konsideron marrëdhënien me Pedrin një pikë të fortë: “Ai është një nga më të mirët në botë. Të luajturit me Pedrin ma bën gjithçka më të lehtë”.

Mesfushori shpjegon edhe raportin e tij me trajnerin: “Flasim shpesh, veçanërisht kur shoh që skuadra është në vështirësi. Më kërkon të jem i pozicionuar mirë, intensiv dhe të organizoj lojën”.

Sa për lojtarin që e ka impresionuar më shumë, katalanasi shton: “Lamine Yamal, pa dyshim. Që herën e parë kur e pashë duke luajtur, më la pa fjalë. Mbaj mend që luajta kundër tij në ‘Youth League’ kundër AZ, besoj në 1/8 e finales, dhe duhet të them që më surprizoi vërtet. Ai tregonte cilësi të jashtëzakonshme që atëherë. Tani, kushdo që ngjitet në ekipin e parë, e bën këtë me pasion të madh dhe me një nivel cilësie shumë të lartë”.

Casado beson se Barça mund të konkurrojë në të gjitha frontet: “Nuk është utopike të mendosh për Champions League. Do ta luajmë çdo ndeshje me shumë entuziazëm”.

Në fund, i riu katalanas tregoi mënyrën se si i kalon festat: “Qetësisht, me familjen, në shtëpinë e gjyshes sime. Shpresoj që kjo traditë të mos ndryshojë kurrë. Një dëshirë për vitin 2025? Të fitoj shumë tituj”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit