Jeta private e Iker Casillas është në qendër të vëmendjes që pas ndarjes së tij me Sara Carbonero në vitin 2021. Që nga ajo kohë, ish-portieri i Real Madridit është përfolur për lidhje me disa femra, përfshirë aktoren Ana Onieva, këngëtaren María José Camacho, gazetaren Ana Quiles, modelen Ana Martín, aktoren e filmave për të rritur Claudia Bavel dhe Claudia Montes, e njohur për titullin “Miss Asturias” në vitin 2017.
Gruaja e fundit që është përfolur si e lidhur me Casillas është kolumbiania Juliana Pantoja. Sipas emisionit “TardeAR”, marrëdhënia e tyre fillimisht nisi virtualisht, por më pas ata janë takuar në qytete të ndryshme si Sevilla, Málaga dhe vendlindja e tij, Navalacruz. Gjithashtu kanë qenë edhe në New York, aktualisht ndodhen bashkë në Kolumbi.
Casillas nuk ka ndarë në asnjë moment ndonjë postim që të tregojë se ndodhet me të në këtë udhëtim, por kolumbiania ka publikuar disa foto ku shihet duke shijuar verën në shoqërinë e tij. Këto imazhe po komentohen nga të gjithë.
Pilar Vidal, bashkëpunëtore e emisionit “Espejo Público”, komentoi se “që kur u nda nga Sara Carbonero, ish-portieri nuk ka pasur asnjë lidhje serioze”. Për lidhjen e re, ajo shtoi: “Pantoja është një vajzë e re, sapo ka përfunduar studimet për psikologji. Ai ka udhëtuar atje, ajo që nuk dihet është nëse njiheshin më parë apo jo”.
Pas gjithë zhurmës që po krijohet, Casillas nga Móstoles ka vendosur të dalë publikisht për të mohuar, sërish, këtë romancë. Ai e ka bërë këtë në emisionin “TardeAR”, përmes një deklarate për gazetaren Leticia Requejo.
Ish-portieri i Real Madridit deklaroi: “Nuk dua të jem pjesë e gjithë kësaj, as e showbiz-it. Ju lutem, më lini rehat!” Ai shtoi gjithashtu: “Jam beqar dhe bëj ç’të dua”.
Gjithashtu, ai bëri edhe shaka duke thënë: “Po, kur udhëtoj, do të shkoj me miq dhe mikesha, sepse ajo që nuk do të bëj është të udhëtoj me katër mapachë dhe gjashtë koala”. Ish-portieri e përmbylli me fjalët: “Më keni nxjerrë 25 gra që nga ndarja dhe nuk keni qëlluar me asnjërën në shenjë”.







