Antonio Cassano e konfirmon veten si “vullkan” edhe në analizë. Në pritje të transmetimit të ri “Viva el Futbol”, i cili do të nisë nga data 19 gusht 2024, për të paktën dy episode në javë, ish-sulmuesi barez është rikthyer “live” për të analizuar temat e nxehta të Serie A. Pas përfundimit të formatit në “Bobo TV”, kanali i Christian Vierit, Cassano foli në “Fiera del Calcio” përkrah Lele Adani dhe Nicola Ventola.
Ndër temat e trajtuara, titulli i Interit i Simone Inzaghit, që vlen yllin e dytë. Pavarësisht triumfit në kampionat, Cassano nuk i kurseu kritikat ndaj trajnerit zikaltër: “60 milionë njerëz bazohen me rezultatin dhe momentin. Nëse shikoj rrugën e Inzaghit, ai i nisi shumë mirë tre muajt e parë tek Interi.
Atëherë thashë se po shijonte ende inercinë e ekipit të Conte. Më pas u tregua katastrofë, humbi titullin karshi Milanit, edhe pse kishte një skuadër të bujshme. Ju e patë se drejtuesit e Interit donin ta largonin. Marotta kishte folur me Conte, ishte objektivi i tij i parë.
Pastaj nga shkurti e tutje fitoi disa ndeshje. Pati fatin të fitonte kundër Portos dhe më pas shkoi në finalen e Ligës së Kampionëve. Me Porto nuk e meritonte, ndaj Milanit dhe Benfica ishte më i fortë dhe e meritoi. Pastaj shkoi në finalen e Stambollit, të gjithë e mbajnë mend që Interi meritoi më tepër. Unë jam tifoz, por edhe analizoj.
Foden mund të kishte shënuar për 2-0, Interi nuk kishte goditur ende në portën kundërshtare deri në atë pikë. Inzaghi pati fatin të ishte aty dhe më pas fati e braktisi pikërisht në finale. Simone nuk është një trajner stratosferik, siç e tregojnë. Fitoi titullin këtë sezon, por humbi dy kampionate. Është shumë më pak se sa duhet të kishte bërë.
Cili lojtar është përmirësuar kaq shumë me atë trajner? Acerbi është gjithmonë i njëjti, Pavard nuk duhej ta zbulonte ai, Bastoni tashmë ishte i mirë me Conte. Ne thamë se Calhanoglu bënte për ‘regjisor’ që kur ishte te Milani. Mkhitaryan nuk duhej zbuluar, Barella është gjithmonë i njëjti. Thuram më befasoi, le t’ia japim atij meritën. Unë nuk e shoh këtë evolucion që shohin njerëzit, për mua Interi nuk po rritet.
Simone ka fituar një kampionat, por ka humbur dy të tjerë. E pamë ndaj Atletico Madridit, luajti për të mos pësuar gola, u eliminua me meritë. Nuk ka evolucion pozitiv. Nëse ai fiton kampionate të tjera, problemi do të jetë gjithmonë se i humbi dy kundër rivalëve shumë inferiorë. Pioli bëri një punë stratosferike dhe masakrohet, Spalletti sikur luan një sport tjetër”.
Po të ishte në dorën time, do ta largoja që tani. Dua ta shoh skuadrën time të dominojë në Itali dhe Evropë, duhet të jetë spektakolare dhe të fitojë, të luajë futboll modern”.