CHAMPIONS: Chelsea mposht Rennes “falën” Dalbert, Sevilla realizon mrekullinë me 10 lojtarë

4 Nëntor 2020
22:58
Denis Hakanaj
back button

Chelsea ka mundur 3-0 Rennes në shtëpi dhe ka marrë fitoren e dytë radhazi në Grupin  E të Champions League.

Fitorja e Bluve është lehtësuar nga mbrojtësi i kundërshtarëve Dalbert. Lojtari i huazuar nga Inter-i te francezët ka shkaktuar dy penallti në pjesën e parë dhe ka lënë skuadrën me 10 lojtarë.

Të dyja penalltitë janë transformuar nga Werner, që është bërë lojtari i parë gjerman që shënon dy penallti në një ndeshje të Kupës së Kampionëve/Champions League që nga Lothar Matthaus me Bayern Munich kundër Real Madrid në 1987-ën.

Goli i tretë i londinezëve është realizuar nga Abraham.

Fitore e çmendur për Sevilla-n, që ka mundur 3-2 me përmbysje dhe me 10 lojtarë në shtëpi Krasnodar-in. Rusët kanë siguruar një avantazh të dyfishtë me një goditje dënimi magjike të Suleymanov dhe një penallti të Berg.

Rakitic ka ngushtuar diferencat për spanjollët pak para se Navas të ndëshkohej me karton të kuq në fundin e pjesës së parë dhe t’i linte vendasit me një lojtar më pak.

Në pjesën e dytë ka ardhur përmbysja e madhe falë dy golave në tri minuta të En Nesyri.

Chelsea dhe Sevilla kryesojnë Grupin E me nga shtatë pikë. Pas tyre vijnë Krasnodar dhe Rennes me nga një pikë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit