Interi fiton ndeshjen e saj të tretë në Champions dhe shkon në kuotën e 10 pikëve tashmë pasi ka arritur edhe një barazim ndaj Manchester City duke mos pësuar asnjë gol në 4 ndeshje radhazi në këtë kompeticion, një ecuri që më parë nuk është arritur.
Në anën tjetër, Arsenali humbet dhe pëson kështu golin e parë në këtë kompeticion pas 4 ndeshjesh dhe pasi kishte barazuar ndaj Atalantas në Itali dhe fituar me PSG në Londër. Skuadra e Artetas luajti gjithë kohës në sulm por ai gol i shënuar nga Calhanoglu në fund të pjesës së parë ishte vendimtar. Një penallti për prekje me dorë e dhënë nga arbitri dhe e transformuar nga turku.
Interi që e nisi mirë dhe Dumfries dhanë sinjalin e parë duke u ndalur nga shtylla. Por, më pas ishte Arsenali kërkues dhe me goditje këndi e krosime gjatë gjithë kohës ka dashur të çajë barrikadën e vendosur nga Interi por Dumfries dhe sidomos Bisseck sonte kanë qenë fantastik duke ndalur çdo gjë.
Një fitore që e çon kështu Interin më të qetë në ndeshjet e tjera. Në anën tjetër, kriza te Arsenali vazhdon dhe ndoshta vetëm rikthimet e të dëmtuarve mund të ndryshojnë situatën.
Pas Interit, një tjetër ekip italian fiton dhe është Atalanta që sonte në fushën e Stuttgart ka arritur të triumfojë duke shkuar kështu 7 fitore radhazi në 8 ndeshjet e fundit. Lookman dhe Zaniolo kanë mjaftuar për djemtë e Gasperinit për të arritur 3 pikë në Gjermani.
Duke ditur se Juventusi barazoi ndaj Lille 1-1 dhe Milani fitoi në Bernabeu ndaj Real Madrid, Serie A shfaqet në këtë Champions në javën e katërt me plot 10 pikë të grumbulluara, ku vetëm Bologna ka humbur ndaj Monacos.
Barcelona me “manita” në Serbi, aty ku ka shkatërruar me rezultatin 5-2 skuadrën e Crvena Zvezda. Lewandowski protagonist në një sezon spektakolar, por edhe Raphinha. Megjithatë, njeriu i ndeshjes Kounde me 3 asist duke ditur se bëhet fjalë për një mbrojtës.
Atletico Madrid merr një fitore të rëndësishme në Paris duke konfirmuar gjendjen jo të mirë të djemve të Luis Enriques. Pas një pjese të parë të mbyllur në 1-1 me golat e Emery dhe të Molina, në pjesën e dytë në frymën e fundit ka vendosur goli i Angel Correa. Por, protagonist absolut ka qenë sidomos portieri Oblak me pritjet e tij spektakolare.
Bayern Munich kthehet te suksesi duke mposhtur Benfican në një ndeshje të nisur me vonesë për shkak se tifozeria mbërriti vonë në stadium duke pasur probleme metroja. Një gol i Musiala mjafton për 3 pikët ndaj Benficas.
Çudia e kësaj Champions quhet Brest që ka arritur të fitojë sërish. Ekipi francez mundi Sparta Praga në Çeki me rezultatin 2-1 duke shkuar kështu 10 pikë në fazën e grupit. Fiton edhe Salzburg në Holandë duke mposhtur Feyenoord 3-1 me Konate të papërmbajtshem me dy gola (humbi dhe penallti) dhe golin e Guindo.