Skuadra e Chelsea ka hyrë në garë për të sjellë në Londër sulmuesin 20-vjeçar spanjoll Samu Omorodion. Ai luan aktualisht në La Liga me ekipin e Alaves, por është në pronësi të Atletico Madrid, që ka edhe kartonin e lojtarit.
Sipas mediave, mësohet se “blutë” e Londrës kanë bërë një ofertë zyrtare prej 32.5 milionë eurosh Atletico Madrid. Sulmuesi ka mjaft admirues edhe në Serie A, ku trajneri Antonio Conte kërkon ta sjellë te Napoli.
Omorodion, që sezonin e fundit realizoi 8 gola në 34 ndeshje në kampionat, është një nga sulmuesit e paktë ku klubi londinez po fokusohet. Gjithsesi, mësohet se klubi spanjoll ka refuzuar ofertën e parë që erdhi për talentin 20-vjeçar.
Pavarësisht refuzimit të parë, skuadra e Chelsea nuk heq dorë nga sulmuesi spanjoll, që kërkon ta sjellë në Londër. Për momentin, Atletico nuk ka vendosur nëse do ta afrojë në ekipin e parë apo do ta lërë sërish në formë huazimi.