Milan dhe Chelsea kanë patur marrëdhënie të mira në merkato vitet e fundit dhe ato pritet të vijojnë edhe verën e ardhshme. Në mes është portieri francez Mike Maignan.
Skuadra londineze bëri disa sondazhe këtë verë për portierin 29-vjeçar, por pa mundur që ta sjellë dot në “Stamford Bridge”. Milan e vlerëson lojtarin 80 milionë euro.
Një shumë që bëri bisedimet të ngecin, por asgjë nuk është e mbyllur. Sipas “Sky Sports”, palët pritet të diskutojnë për Maignan së shpejti, për të gjetur një marrëveshje për verën e ardhshme.
Nga ana tjetër, edhe te Milan synojnë që t’ia rinovojnë kontratën lojtarit, për t’ia shtyrë atë dhe për t’iu dhënë një pagë më të mirë. Bisedimet për momentin ecin me ngadalë.