Chelsea duket se ka gjetur trajnerin e ri, pasi vendosi të largojë argjentinasin Pochettino në fund të sezonit. Duket se i preferuari i londinezëve për stolin është një italian por jo rikthimi i Antonio Contes apo trajneri zbulim Roberto de Zerbi.
Media britanike bën me dije se Todd Boehly po punon për të sjellë në “Stamford Bridge” Enzo Marescan, trajner italian që bëri një punë të shkëlqyer në Championship me Leicesterin, duke e kthyer menjëherë në elitën e futbollit anglez dhe dominuar me loje sulmuese Championshipin.
Kontaktet mes palëve kanë nisur dhe transferimi i Marescës në Londër favorizohet edhe nga klauzola që ai ka në kontratën me Leicesterin, e cila mund të prishet kundrejt një dëmshpërblimi prej 10 milionë eurosh.
Kjo shifër nuk tremb aspak londinezët që gjatë periudhave të fundit të merkatos kanë shpenzuar qindra milionë euro për të afruar futbollistë, teksa tashmë mbetet të bindet vetë Maresca për të marrë drejtimin e Chelsea-t.
Italiani ka punuar më herët si asistent i Pep Guardiolës dhe gjatë një sezoni te Leicester tregoi se di të bëjë futboll fitues, por edhe argëtues, ndaj edhe te Chelsea janë të bindur t’i besojnë pikërisht Enzo Maresca-s.
Chelsea është vendosur të nënshkruajë me Enzo Maresca në një “projekt afatgjatë” sipas Fabrizio Romanos.