Giorgio Chiellini, ish-mbrojtësi i Juventusit dhe kombëtares italiane, tani drejtues te bardhezinjtë, ka zbuluar një prapaskenë interesante gjatë një interviste për “The Overlap”. Ai tregoi: “Në moshën 16-vjeçare isha aq i pamend, sa refuzova një ofertë nga Arsenali. Në atë kohë luaja në ekipin e të rinjve të Livornos, pjesë e Serie C.
Arsenali kishte bërë një ofertë të shkëlqyer dhe ishin të bindur që do ta pranoja. Megjithatë, nuk doja të largohesha nga skuadra e qytetit tim pa i sjellë të ardhura nga transferimi. Kështu që i thashë agjentit tim: Do të firmos një kontratë të re dhe nëse arrini një marrëveshje me Arsenalin, atëherë do të shkoj. Por kështu falas, jo”.
Chiellini më pas shpjegoi pse nuk u transferua te “Gunners”: “Në fund, klubi kërkoi shumë para dhe nuk u realizua asgjë. Nëse do të kisha një djalë në një situatë të tillë, do t’i thosha menjëherë të pranonte dhe të shkonte pa e menduar. Unë isha në Serie C, nuk isha te Juventusi apo Milani. Në fund gjithçka shkoi mirë, por ishte një vendim i keq në atë moment”.
Pavarësisht kësaj, Chiellini mund të ndihet krenar për karrierën e tij. Ai luajti për Livornon nga viti 2000 deri më 2004, për Fiorentinën nga viti 2004 deri më 2005, për Juventusin nga viti 2005 deri më 2022 dhe në fund për Los Angeles FC nga viti 2022 deri më 2023.