Chiellini: Shqiptarët janë në thelb kushërinjtë tanë, Ronaldo mund të godasë si një gjarpër…

14 Qershor 2024
8:30
Alfred Lleshi
back button

“Nëse do të ishte në dorën time, do të kisha luajtur deri në moshën 50 ose 60-vjeçare. Por, kur fillova të ndjeja se nuk isha më i aftë fizikisht për ta bërë këtë, vendosa të largohesha nga Juventusi dhe të shkoja në Amerikë”.

Këto janë fjalët e Giorgio Chiellini, i cili në intervistën e dhënë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ka kujtuar të kaluarën e tij në fushë, duke iu përgjigjur edhe skenarëve të ardhshëm të Italisë së Spallettit. Me fanellën bardhezi, Chiellini ka grumbulluar 561 paraqitje në total, 117 me kombëtaren e madhe axurre.

Chiellini për triumfin në “Euro 2021”: “Mancini e kishte krijuar grupin, duke e bërë të veçantë në rrethana të vështira. Ai Kampionat Europian përfaqësonte kulmin e një rrugëtimi 3-vjeçar, i cili filloi me një zhgënjim të madh: dështimin për t’u kualifikuar në Botërorin 2018. Mancini kishte guximin të besonte te ne lojtarët veteranë dhe të integronte të rinjtë gjatë gjithë mandatit të tij.

Verratti, Jorginho, Insigne, Barella, ishin të gjithë lojtarë teknikë dhe cilësorë. Ne dinim të mbroheshim kur ishte e nevojshme dhe mundëm të mposhtnim një kundërshtar si Spanja në gjysmëfinale, që ishte më e fortë. Spanjollët kishin 70% të zotërimit të topit dhe Dani Olmo ishte pothuajse i pandalshëm. Megjithatë, në futboll nuk fiton dot vetëm me posedimin e topit”.

Chiellini për Italinë në “Euro 2024”: “Debutimi me Shqipërinë? Shqiptarët janë në thelb kushërinjtë tanë. Ata kanë një komunitet të madh në Itali dhe praktikisht jemi fqinjë. Shqiptarët na njohin shumë mirë, më mirë se ne veten. Ata janë të papërvojë në turne si ky dhe shumë të rinj, por janë përmirësuar me të vërtetë.

Po rriten si kombëtare, shumë lojtarë shqiptarë luajnë në Serie A dhe B. Është shumë e rëndësishme për ne që ta fillojmë mirë Europianin, sepse kjo do të na lejonte të luanim në një mënyrë shumë të ndryshme me Spanjën dhe Kroacinë. Unë kam besim të madh në këtë grup dhe sigurisht, Spalletti ka qenë gjithmonë një trajner i avancuar.

Është kënaqësi ta dëgjosh atë duke folur për futbollin. Niveli i tij i lartë është treguar në të gjitha fazat e karrierës: te Zenit, Roma, Interi. Spalletti ka arritur gjithmonë rezultate të shkëlqyera. Titulli me Napolin ishte si kulmi për vlerat e tij. Vendi i dhjetë i skuadrës napoletane në kampionat, pas largimit të tij, konfirmon se sa i rëndësishëm ishte atje. Ajo që bëri me Napolin shërben si shpresë dhe entuziazëm për Kampionatin Europian”.

Analiza për kombëtaren axurre: “Në 2021 bëmë shumë njerëz të lumtur, ishte e paharrueshme. Ngritja e atij trofeu ishte magjik për mua. Tani kemi disa lojtarë të rinj, por me shumë përvojë: Donnarumma, Bastoni dhe Barella. Edhe Jorginho mund të jetë fari i këtij grupi. Përpara kemi djem si Chiesa dhe Scamacca, të cilët mund të shënojnë në çdo kohë”.

Chiellini për Botërorin e dytë radhazi të munguar: “Ne ishim ende të dehur nga lumturia për Kampionatin Evropian, kur barazuam në shtëpi me Bullgarinë, në ndeshjen e parë kualifikuese. Më pas kuptuam se të luash me entuziazmin e fitores dhe të ndjekësh një ëndërr është krejtësisht ndryshe nga të durosh presionin për të shmangur ndonjë ‘tragjedi’ sportive. Ne nuk arritëm ta menaxhonim këtë situatë; dy penalltitë e humbura në dy ndeshjet vendimtare kundër Zvicrës e tregojnë këtë”.

Mbi lamtumirën e Mancinit nag kombëtarja: “Ishte një surprizë për mua dhe gjithë të tjerët. Pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, diçka u prish përfundimisht. Askush nuk mund të hyjë në mendjen e njerëzve të tjerë. Ai mori një vendim që ne profesionistët ndoshta mund ta kuptojmë. Gjithmonë pëlqente të debatonte për gjithçka, gjëja e rëndësishme është se, pas traumës, Italia pati fatin që e gjeti të lirë Luciano Spallettin, i cili sapo kishte arritur kulmin me titullin e Napolit”.

Parashikimi i Chiellinit për Kampionatin Europian: “Favoritët? Sidomos Franca dhe Anglia, por edhe Portugalia. Këto janë tre favoritët e mi. Të tjerët vijnë pas tyre. Gjermania po luan në shtëpi, Spanja ndoshta nuk është më në epokën e artë të 10 apo 15 viteve më parë, por mbetet ende e fortë.

A nuk kemi si Itali një numër ‘9’ të pamëshirshëm? Është thënë kjo edhe para tri vitesh, ndonëse kishim Immobile. Të shohim si do të sillet Scamacca, i cili fitoi ‘Europa League’ me Atalantën. Nuk duhet ta ngarkojmë me shumë përgjegjësi, por ka kaluar tre-katër muaj shumë të mirë. Pastaj Italia ka edhe Chiesa me Retegui.

Megjithatë, ne nuk jemi e vetmja skuadër me këtë pasiguri teorike. Portugalia ka kampionë si Bernardo Silva, Bruno Fernandes, Ruben Dias dhe sigurisht Cristiano Ronaldo. Edhe nëse nuk është më i njëjti si në Kupën e Botës, ai mbetet një magjistar. Unë kam luajtur me të për tri vite. Ronaldo ishte një shok i mirë, shumë i respektueshëm. Ai mund të godasë si një gjarpër me një eliksir të ri.

Franca është favorit para së gjithash falë Mbappes. Ai është aktualisht lojtari më i mirë në botë, pa dyshim. E shoh gati të marrë fronin nga Cristiano dhe Messi. Unë gjithashtu e kam vlerësuar Griezmann prej vitesh. Ata të dy janë të jashtëzakonshëm, por francezët janë shumë të fortë në të gjitha repartet”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit