Federico Chiesa deri para dy vitesh ishte një nga emrat më të përmendur te Bayern si blerje e mundshme. Legjenda Karl-Heinz Rummenigge e konsideronte si një nga lojtarët më të mirë në Europë.
Edhe ish-trajneri i bavarezëve, Nagelsmann, shprehej me fjalë tepër vlerësuese për yllin italian, i cili deri në fund të gushtit ishte pjesë e Juventusit.
“Bild” zbulon se këtë verë Bayern pati mundësinë ta blinte anësorin e kombëtares italiane. Agjentët e tij e ofruan në “Allianz Arena”, por drejtuesit refuzuan. Cili ishte argumenti? “Kemi blerë Olise dhe në ofensivë kemi plot lojtarë”.
Chiesa më pas u transferua te Liverpool për 13 mln euro. Ai sot mund të ishte një nga yjet më të kushtueshëm në Europë, por dëmtimet e dy sezoneve të fundit kanë bërë që të mos jetë një garanci e madhe për gjithë sezonin.