Chilavert kundër Buffon për rritjen e portës në futboll: Ja çfarë duhet për më shumë gola

7 Shtator 2024
17:46
Alfred Lleshi
back button

“Marca” intervistoi portierin legjendar paraguajan José Luis Félix Chilavert.

Kohët e fundit jeni deklaruar rreth Vinicius dhe akuzat e tij për racizëm. A mendoni se futbolli është i padrejtë ndaj lojtarit madrilen?
Nuk mendoj kështu, janë momente. Ne lojtarët jemi të nxehtë ndonjëherë. Vinicius është një lojtar fantastik, por e këshilloj që të mos grindet me të tjerët kur vijnë për ta provokuar. Le të tregojë se është i shpejtë, i fuqishëm. Tani, përveç kësaj, ka në krah Mbappe, me të cilin duhet të tregojë se Real Madridi është skuadra më e mirë në botë. Vinicius duhet të kuptojë se më të mirët gjithmonë do të tentohen të rrëzohen, me të gjitha mënyrat. Ai duhet të jetë inteligjent dhe të dijë t’i menaxhojë situatat, jashtë dhe në fushë.

Vinicius tha se në Spanjë ka shumë racizëm. A e besoni këtë ju, që keni luajtur në këtë kampionat?
Racizmi ekziston në të gjithë botën. Në Paraguaj iu thonë gjëra të shëmtuara argjentinasve, brazilianëve etj. Kur luaja në Argjentinë, më thanë: Paraguajan i uritur, po na merr paratë. Në Spanjë të thërrasin ‘sudaca’. E njëjta gjë më ka ndodhur në Francë… Domethënë, racizmi është kudo. Ajo që duhet të bëjmë është ta pengojmë që kjo gjë të mos shkojë më tej. Do të doja që kjo çështje të minimizohej, por është një problem global, jo vetëm në Spanjë.

Le të flasim për rolin tuaj në fushë. A ka portierë më të mirë tani apo më parë?
Tani nuk janë më të mirë, mbroj brezin tim. Në fakt, ne ua kemi dorëzuar stafetën dhe ata kanë mësuar nga ne. Një shembull: më 1988 mbërrita te Zaragoza dhe stili im ishte të dilja jashtë zonës, të jepja pasime, të godisja penallti ose goditje të lira… Tifozët e Zaragozës më bërtisnin: Portier, i çmendur, futu në portë. Në ditët e sotme të gjithë luajnë kështu, portierët duhet të jenë të mirë edhe me këmbë.

Cilët janë top-5 portierët aktualë, sipas jush?
Courtois (Real Madrid), Ter Stegen (Barça), Alisson (Liverpool), Oblak (Atlético Madridi) dhe i pesti…, nuk mund ta veçoj tani. Të gjithë presin topa dhe dinë të luajnë me këmbët e tyre. Në ditët e sotme, trajnerët preferojnë portierët-lojtarë me këmbë sesa pritësit me duar. Mendoj se duhet të jetë e kundërta: së pari, prit. Pastaj luaj edhe me këmbë. Për më tepër, që nga “Franca 1998”, topat kanë atë valvul inteligjente që i bën nga jashtë zonës të lëvizin shumë. Këtë do t’u thoja atyre që bëjnë rregullat… Meqë ra fjala, Gigi Buffon tha së fundi se portat duhet të bëhen më të mëdha, në mënyrë që të ketë më shumë gola. Jo, Gigi, unë nuk mendoj kështu. Ajo që duhet bërë është që goditjet e lira jashtë zonës të jenë pa barrikadë përpara. Kjo do të ishte zgjidhja ime për më shumë gola.

Ke qenë një ‘avokat’ i madh i Iker Casillas…
Dhe jam ende, pavarësisht ‘pensionimit’ të tij. Për mua ka qenë një portier që ka ndihmuar shumë në rritjen e pozicionit. Ai është një legjendë dhe fitues, shfrytëzoj rastin ta përshëndes nga këtu. Iker, sipas mendimit tim, është ndër pesë portierët më të mirët në historinë e futbollit botëror.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit