Giovanni Cobolli Gigli, ish-presidenti i Juventusit, ka dhënë një intervistë për “Sportitalia”, ku ka komentuar zhvillimet e fundit në Serie A: “Gjithçka ndodhi këtë fundjavë. Napoli zbuloi se ka ende disa dobësi, Atalanta tregoi të gjitha cilësitë e saj dhe të trajnerit që ka në krye. Interi luajti jo me kapacitet të plotë, Juventusi duket se e ka ‘tretur’, të paktën pjesërisht, filozofinë e Motta dhe mund të përmirësohet më tej, me rikthimin e lojtarëve të lënduar”.
Çfarë shije ju la barazimi 4-4 i bardhezinjve ndaj Interit?
Më la shumë kënaqësi si tifoz i Juventusit. Jo aq për cilësinë e lojës, por për vendosmërinë e lojtarëve për të arritur një barazim, që dukej praktikisht i pamundur, në 25 minutat e fundit të ndeshjes. Më pëlqeu shumë dëshira për të mos u dorëzuar, edhe pse në disavantazhin 4-2. Ishte emocionuese, një ndeshje e stilit anglez, e luajtur mirë nga Interi, por edhe nga Juventusi.
A ju pëlqen puna e Thiago Motta?
Duke parë se çfarë kishte bërë me një ekip të nivelit të mesëm, pa e ofenduar aspak Bologna, ai më duket trajner inteligjent. Me siguri, Motta mund të bëjë një punë të mirë në Torino. Te Juventusi është i pajisur me një bazë të rëndësishme lojtarësh, edhe pse ka disa lëndime. Mbetet të shihet produkti i Koopmeiners, ndërsa Douglas Luiz nuk ka pasur ndonjë dëmtim të veçantë, por ende nuk është integruar plotësisht në psikologjinë e Juventusit. Nuk mund ta vlerësoj si duhet tani punën e trajnerit Motta, por pasi t’i kthehen të gjithë të dëmtuarit. Do të doja që të kishte në dispozicion Koopmeiners dhe Douglas Luiz, ndërsa Nico ka një konkurrent si Conceicao.
A jeni i kënaqur me përparimin e Juventusit?
Duket në rrugë të mbarë, Juventusi është i vetmi ekip që nuk ka humbur ende në Serie A. Deri para disa javësh kishte mbrojtjen që funksiononte më mirë. Ka momente shumë të shkëlqyera, duke i alternuar me disa barazime dhe lojë jo veçanërisht të mirë. Është e parakohshme për ta gjykuar, gjithsesi. Tifozët e Juventusit janë duke kërkuar dhe duan gjithçka menjëherë, mendoj se është thelbësore të afrohet një zëvendësues për Bremer, nëse është e mundur. Klubi ka menaxherë të mirë në shfrytëzimin e mundësive dhe do të dinë të ecin në këtë drejtim.