Francisco Conceiçao ndjek gjurmët e babait të tij. Sulmuesi i ri shënoi golin e tij të parë për Portugalinë, në ndeshjen e tretë me kombëtaren, duke i dhënë fitoren skuadrës së Roberto Martinez kundër Republikës Çeke në minutën e 92-të. Një gol historik, duke qenë se vjen 24 vite pas atij të shënuar nga babai i tij, Sergio.
Conceiçao senior madje kishte shënuar një “hat-trick” në fitoren 3-0 kundër Gjermanisë në fazën e grupeve të “Euro 2000”. Conceiçao u bë kështu dyshja e dytë babë dhe bir që shënon në Kampionatin Europian, pas italianëve Enrico dhe Federico Chiesa, përkatësisht golashënues në edicionet 1996 dhe 2021.
I trajnuar te Porto dhe i futur në ekipin e parë nga babai i tij në sezonin 2020-2021, Francisco Conceiçao luajti një vit tek Ajax Amsterdam (2022-2023), përpara se të kthehej në klubin portugez, me të cilin pati një vit të shkëlqyer (43 ndeshje, 8 gola).
Sulmuesi u thirr për herë të parë në kombëtare marsin e kaluar dhe dje ishte vendimtar. I aktivizuar në minutën e 90-të në vend të Vitinha, ai shënoi dy minuta më vonë, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes së Republikës Çeke.