CONFERENCE LEAGUE | Egnatia dhe Drita fitojnë transfertat “islandeze” dhe hedhin hapa drejt kualifikimit!

25 Korrik 2024
23:19
Telesport
back button

Ndryshe nga Partizani, Egnatia ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm për kualifikimin e mundshëm në turin e tretë të Ligës së Konferencës, teksa ka mundur sot me shifrat 1-0 ekipin e Vikingur, kampione në fuqi të Islandës.

GOLI I XHOEL – VIDEO

Skuadra rrogozhinase vinte në duelin e sotëm me ndryshime të rëndësishme në përbëjre pas largimeve të Sherrit e Ibrahimoglu. Por Dabjani në portë ishte i pakalueshëm në ndeshjen e tij të debutimit në Europë, duke ndalur çdo goditje drejt katërkëndorit.

Nga ana tjetër, një pasiguri e portierit vendas i dha mundësinë Xhoel që të shtynte topin në rrjetë dhe t’u jepte avantazhin rrogozhinasve në pjesën e parë të sfidës.

Kjo ia bëri më të thjeshtë skuadrës kampione të Shqipërisë të kontrollonte duelin në vijimin e tij dhe të fokusohej për të administruar këtë rezultat, duke ia dalë me sukses deri në vërshëllimën përfundimtare.

Kështu, Egnatia merr një rezultat që i jep shpresa të mëdha për kualifikimin e mëtejshëm në Ligën e Konferencës dhe mundësinë që të vazhdojë të tregojë sa vlen edhe në arenën ndërkombëtare.

Edhe Drita ka fituar ndeshjen e parë si mysafir ndaj Breidablik me rezultat 2-1 në fazën e dytë eliminatore të Ligës së Konferencës. Ndeshja nisi shumë mirë për Dritën që arriti epërsinë që në minutën e tretë, kur pas një aksioni fantastik Arb Manaj gjeti rrjetën pas asistimit të Albert Dabiqajt për 1-0.

Drita vazhdoi duke prodhuar loje të mirë dhe arriti të gjejë sërish golin pas 20 minutash, me Dabiqajn që asistoi te Veton Tusha i cili marshoi drejt portës kundërshtare dhe dërgon topin në rrjetë për 2-0.

Në minutën fundi vendasit kishin një rast shumë të mirë, por që Faton Maloku bëri pritje të madhe. Drita në pjesën e dytë u kthye paksa prapa, duke ditur epërsinë që kishte nga pjesa e parë. Kjo i kushtoi paksa Dritës, pasi edhe pse kishte rast të shënonte në minutën e 71-të, nga një kundërsulm pësuan gol, me Isak Thorvaldsson që gjeti rrjetën për 2-1.

Besnik Krasniqi u largua nga loja pas dy kartonëve të verdhë, ndërsa deri në fund skuadra arriti ta ruajë epërsinë dhe ta marr fitoren e rëndësishme. Pas një jave, Drita e pret ekipin islandez në “Zahir Pajaziti”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit