Conte bën paqe me klubin, tani kërkon kampionin e botës tek Interi

15 Korrik 2020
10:20
Alfred Lleshi
back button

Nuk ka asnjë mosmarrëveshje mes klubit dhe trajnerit. Si përmbledhje, ky është mesazhi që Marotta dhe Conte shkëmbyen në kapërcyell të ndeshjes kundër Torinos. CEO filloi, duke sqaruar se “janë të kënaqur me punën e bërë dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim në drejtim të Interit”. Trajneri u përgjigj: “E falënderoj menaxhmentin e klubit, por kurrë nuk kam ndjerë pak besim prej tyre. Nëse do të duhej të paralajmëroja se projekti ka dështuar, nuk do të bëhesha kurrë barrë për Interin. Marotta më donte fort dhe ai është një nga arsyet pse zgjodha Interin. Ekziston një dëshirë për të krijuar diçka të rëndësishme. Gjëja e rëndësishme është durimi, dëshira për të qenë gjithmonë të bashkuar dhe kompakt. Në nivelin e klubit, lojtarëve dhe stafit teknik, jemi të bashkuar”.

Epo, ishte e detyrueshme që, pas javës më të trazuar, që nga zbarkimi i Contes në stolin zikaltër, të qetësoheshin ujërat. Dhe, në këtë kuptim, rikthimi te fitorja ka kontribuar gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme për këtë paqtim. Synimet e mira, megjithatë, duhet të shndërrohen në fakte konkrete. Kjo do të thotë që, nga njëra anë, Conte duhet ta shtyjë skuadrën për të përfituar sa më shumë nga kjo fazë finale e sezonit, me vendin e dytë në Serie A dhe triumf në “Europa League”. Nga ana tjetër, klubi do të punojë për t’i sjellë lojtarë të tjerë cilësorë Conte, për të hedhur një hap tjetër përpara në sezonin e ardhshëm.

Shkurt, merkatoja e verës është e destinuar të veprojë si gjilpëra për ekuilibrin. Do të jetë themelore të gjendet një ekuilibër midis vizioneve të ndryshme të brendshme. Conte, në fakt, tashmë e ka bërë të qartë se për të fituar menjëherë duhen lojtarë me përvojë, të cilët janë të aftë të transmetojnë mentalitetin e tyre te shokët e skuadrës. Sidoqoftë, menaxhmenti zikaltër nuk dëshiron ta ekzagjerojë në këtë kuptim, duke preferuar të përqendrohet edhe në elementët e perspektivës. Hapi i parë ishte Hakimi, i cili, në të vërtetë, përveç moshës së re, është edhe i sprovuar. Në shqyrtim janë Tonali dhe Kumbulla, të cilët po mbarojnë kampionatin e tyre të parë në Serie A.

Më tej, një ide e re ka lindur në “Viale della Liberazione”, e mirëpritur menjëherë nga Conte. Nuk mund të ishte ndryshe, duke marrë parasysh që profili në fjalë është ai i N’Golo Kanté. Francezi zbarkoi te Chelsea në verën e vitit 2016, saktësisht si trajneri nga Lecce, i cili e kishte listuar në krye të dëshirave të tij. Mesfushori francez ishte një nga gurëthemelet e skuadrës, që fitoi menjëherë Premier League. Dy vite më vonë, ai u bë edhe kampion botëror me kombëtaren e “gjelave” në Rusi. Shkurt, ai tashmë i njeh parimet e lojës “contiane”, ka eksperiencën e duhur dhe, në moshën 29-vjeçare, ka akoma disa vite përpara për të luajtur në skenën e madhe.

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit