Përplasje deklaratash mes Beppe Marotta dhe Antonio Conte. Gara për titullin kampion në Serie A po bëhet më e nxehtë, me Napolin që kryeson renditjen dhe Interin që potencialisht ndodhet vetëm një pikë pas, por ende duhet të rikuperojë ndeshjen ndaj Fiorentinës. Të dielën, presidenti i Interit deklaroi në “Sky”, para ndeshjes ndaj Fiorentinës, e cila më pas u shty:
“Ne jemi favoritë? Përfaqësoj një klub të madh, jemi kampionët në fuqi dhe është normale të jemi favoritë. Ka kundërshtarë të fortë, një ndër ta është Napoli. Ka disa skuadra që mund të pretendojnë titullin, ne do të përpiqemi ta fitojmë”.
Dje ka ardhur përgjigjja e trajnerit të Napolit: “E përsëris, Marotta mund të thotë çfarë të dojë, sigurisht duke e njohur shumë mirë, pasi kam punuar me të. Sidoqoftë, mendoj se në fund të sezonit, nëse Interi nuk e fiton titullin, ai nuk do të jetë aspak i kënaqur. Me siguri nuk do ta konsideronte sezonin të suksesshëm.
E them këtë, sepse e njoh shumë mirë. Pastaj secili luan rolin e vet, ndoshta edhe nga brenda dikush mund ta ketë shtyrë të thotë diçka të tillë. Por e përsëris, po flasim për një klub që nuk ka vetëm dy ekipe (formacione) në dispozicion, por dy ekipe dhe tre të katërtat. Zikaltrit po përqendrohen shumë te ne dhe ndoshta nuk shohin se kush mund t’i shqetësojë vërtet. Gjithsesi, jam plotësisht i bindur që këto janë fjalë i merr era. Nëse Interi nuk e fiton titullin, Marotta nuk do të jetë i lumtur”.