Zgjedhja për të qëndruar te Napoli pas takimit me De Laurentiis, në fund të kampionatit, Juventusi, momentet vendimtare të sezonit të titullit, por jo vetëm. Antonio Conte rrëfehet për revistën “7” të “Corriere della Sera” dhe e nis pikërisht nga ballafaqimi me presidentin e klubit blu, që më pas vulosi qëndrimin e tij në pankinën e Napolit:
“Gjatë takimit tonë u sqaruam, – theksoi Conte, – të flisnim ishte thelbësore. Ai i kuptoi gabimet, ose të paktën situatat që duhet të përmirësohen. Kam një kontratë dhe sqarimi ishte pika kyçe. Të tjerat ishin zëra që më bënë keq, sepse nuk morën parasysh se si jam unë si njeri”.
Për zërat që e lidhnin me Juventusin, Conte është i prerë dhe e konfirmon: “Nuk kam pasur kontakte me askënd, sepse kushdo që ka tentuar të më afrohej përmes palëve të treta ka marrë gjithmonë si përgjigje se do të flisja me Napolin në fund të sezonit, siç bëhet gjithmonë. Vetëm nëse takimi nuk do t’i kënaqte palët, do të mendoja për një tjetër zgjidhje, duke qenë se kam kontratë edhe për dy vite të tjera me Napolin”.
Për ndeshjen vendimtare të sezonit, Conte nuk ka dyshime: “Ajo kundër Interit, kur barazuam pas disavantazhit dhe mund të fitonim. Atëherë thashë publikisht, për herë të parë: Nëse duam, mundemi. Ishte një mesazh për djemtë e mi. Unë e besoja titullin, duhej ta besonin edhe ata. Sidoqoftë, në futboll gjithmonë ndodh e paparashikueshmja.
Barazimi me Genoa e rrezikoi seriozisht titullin. Qendërmbrojtësi i tyre ndaloi një pasim në gjysmëfushën e vet, pasoi, filloi të endet në zonën tonë, topi shkoi te mbrojtësi i majtë që arriti të krosojë, ndonëse unë po bërtisja që Politano të mos e lejonte. Dhe pastaj mbrojtësi Vásquez shënoi, ndonëse ishte mes tre lojtarëve tanë”.







