Courtois i hakërrehet Simeones: Jam lodhur nga ky viktimizim i vazhdueshëm, gjithmonë ankesa

13 Mars 2025
9:20
Alfred Lleshi
back button

Thibaut Courtois reagoi në zonën e intervistave, pas shpërthimit të Diego Simeones në konferencën për shtyp, ku trajneri argjentinas pyeti me të bërtitura nëse ndonjë gazetar kishte parë prekjen e dyfishtë të Julián Álvarez në penalltinë e tij. Portieri belg u tregua i ashpër me Simeonen:

“Jam lodhur nga ky viktimizim i vazhdueshëm, gjithmonë ankesa për gjëra të tilla. Gjyqtarët nuk duan të favorizojnë asnjë skuadër, as në Spanjë, as në Europë. E panë qartë dhe e gjykuan kështu. Janë njerëz dhe me ndihmën e teknologjisë e panë saktë. Nëse je duke fituar 1-0 në minutën e parë dhe nuk kërkon të dytin, atëherë është gabimi i skuadrës tënde”.

Më herët, në “Movistar”, analizoi ndeshjen: “Në fund zgjidhja erdhi përmes penalltive, që janë llotari. Ndjeva se e preku topin dy herë dhe ia thashë gjyqtarit. Nuk ishte e lehtë për t’u parë, por ishte fat i keq për ta. Pastaj për mua ishte fat i keq rasti i Correas, që nuk arrita ta ndaloj. Nuk bëmë ndeshjen tonë më të mirë, por u kualifikuam dhe kjo ka më shumë rëndësi”.

Belgu analizoi gjithashtu se si e studioi serinë e penalltive: “Diskutuam atë që kishim punuar gjatë javës dhe më pas gjithçka varet nga goditësi… Sorloth gjithmonë e ka ndryshuar mënyrën e gjuajtjes, mendova se do të ndryshonte edhe këtë herë. Te Julián isha në dilemë, nuk besoja se do të gjuante në qendër. Për Llorenten nuk kishim informacion, por më kujtohet se në stërvitje i pëlqente të gjuante djathtas dhe goditi shumë fort, por topi shkoi jashtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit