Courtois: Krahasimin me Casillas më bën krenar, këtu ndihen të gjithë të vlerësuar

20 Shtator 2024
12:32
Alfred Lleshi
back button

Një nga sallat e “Santiago Bernabeu” ishte “skena” e premierës së dokumentarit të Thibaut Courtois, kushtuar procesit të rikuperimit të tij pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e majtë. “E kisha të qartë që në fillim se do të kthehesha mirë dhe i fortë, – shpjegon portieri belg për “Marca”. – Unë nuk u tremba në asnjë moment, kisha pak drojë kur nisa seancat e para stërvitore se si do të më përgjigjej gjuri. Në çdo rast nuk e braktisa palestrën, edhe kur nuk luaja”.

Kush ju ka mbështetur më shumë?
Familja dhe gruaja ime. Janë ata që duhet të të mbështesin në shtëpi. Duke folur në nivel profesional, Davide, fizioterapisti, Giuseppe, trajneri im fizik, dhe Llopis. Të tre bënë një punë të shkëlqyer. Edhe doktor Leyes, i cili më ndihmoi që gjuri im të ishte përsëri si i ri.

Pse mendon se je bërë portier më i mirë tani?
Tani jam më i fortë në këmbë, edhe në pjesën e sipërme të trupit. Kam humbur dhjamin dhe kam më shumë muskuj. Me Llopis kemi punuar mjaft në lëvizjet e këmbëve, kjo më ka ndihmuar shumë. Ai ka punuar shumë me mua, më ka bërë një portier më të mirë e të kompletuar.

Kush do ta fitojë “Topin e Artë” këtë vit?
Shpresoj që një nga shokët e mi të skuadrës ta fitojë atë. Të gjithë kanë arsye për ta merituar atë, por shpresoj se fituesi të jetë nga Real Madridi.

Çfarë mendoni për polemikën midis “BMV” (Bellingham, Mbappé dhe Vinicius) dhe “R” (Rodrygo)?
Ku e shihni këtë polemikë (qesh)? Të gjithë ndihen të vlerësuar te Real Madridi. E gjitha kjo vjen më shumë nga jashtë. Në ekip të gjithë ndihemi krenarë dhe të vlerësuar që jemi pjesë e Real Madridit.

Çfarë ndjen kur sheh momentin e lëndimit?
Tani e shoh qetësisht, pa qarë, por në atë moment, ajo ulërima… Kur e dëgjova mendova: pse bërtita ashtu? Sidoqoftë, trembesh në kësi momentesh, kur mendon se diçka nuk shkon. Ishte një proces i gjatë dhe e vështirë rehabilitimi deri në fund, por qëllimi u arrit.

A ndiheni i pamposhtur?
Këto janë fjalë të mëdha. Unë thjesht po përpiqem të ndihmoj skuadrën të fitojë ndeshjet. Nuk do të jem gjithmonë i pamposhtur. Duhet të gjuash fort për të shënuar një gol dhe është e rëndësishme të kesh besim. Jam i kënaqur me nivelin tim. Do të shohim kur të dal në ‘pension’ se ku do të më vendosin.

Çfarë mendoni për krahasimin me Casillas?
Kjo më mbush me krenari. Unë thjesht bëj punën time, madje përpiqem ta bëj atë në mënyrën më të mirë. Nëse njerëzit mendojnë se është kështu, kjo është shumë mirë. Personalisht, thjesht dua të ndihmoj ekipin. Kur isha 8-vjeçar, as që mund të ëndërroja të isha pjesë e Real Madridit. Kjo ëndërr e madhe është përmbushur, tani shpresoj të vazhdoj ta ndihmoj skuadrën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit