Coutinho mban peng Lautaro Martinez, Barça në hall me brazilianin

27 Maj 2020
15:52
Alfred Lleshi
back button

Barcelona vazhdon të punojë për blerjen e Lautaro Martinez këtë verë. Problemi i direktivës katalanase vazhdon të jetë një dhe i vetëm: si ta financojnë nënshkrimin e sulmuesit argjentinas. Interi është pro shitjes, për sa kohë që mbetet i hapur për shifrat që i interesojnë. Zikaltrit për momentin kanë në dorë “gurin dhe arrën”, falë klauzolës 111 milionë euro, edhe pse do të ishin të gatshëm ta ulnin këtë çmim, nëse homologë të tjerë hyjnë në lojë.

Sipas shtypit italian, Interi do të ishte i hapur për një transferim prej rreth 80 ose 90 milionë euro të argjentinasit, por duke marrë në këmbim edhe Junior Firpo. Barcelona ka një propozim tjetër, që për momentin nuk mund t’i arrijë këto shifra. Oferta e saj e parë është 50 milionë euro dhe dy futbollistë: Semedo dhe Rafinha. Madje, mund të përfshijë në operacion edhe Rakitic.

Nisur nga kjo situatë, Philippe Coutinho hyn në lojë, siç theksohet nga “Gazzetta dello Sport”. 27-vjeçari brazilian tashmë e ka veshur fanellën e Interit, kur bëri kapërcimin e madh në Europë (nga Vasco de Gama). Në vitin 2013 u shit në Premier League për 13 milionë euro, pasi luajti 47 ndeshje si lojtar zikaltër. Coutinho ka qenë i huazuar këtë sezon te Bayern Munich, por klubi bavarez tashmë ka raportuar se nuk do ta ekzekutojë mundësinë për ta blerë brazilianin.

Trajneri Quique Setién e pëlqen Coutinho: “Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm, më pëlqen shumë. Unë llogaris se mund të jetë këtu në fillim të sezonit tjetër. Duhet të flas me të për ta pyetur. Nëse është e nevojshme, do të flas me të”. Sidoqoftë, klubi katalanas e sheh Coutinho si një kartë të mirë negociuese në operacionet e merkatos që ka në plan. Kartë e çmuar për të zhbllokuar çdo negociatë. Për më tepër, largimi i tij do të hapte mundësi page të mjaftueshme për Lautaro. Problem është fakti se Barça nuk dëshiron të humbasë shumë nga ato para që investoi në janarin 2018 (145 milionë euro të paguara te Liverpool) për brazilianin, megjithëse e di se situata e tregut tani është e ndryshme.

Barça i ka vendosur çmim Coutinho, 100 milionë euro. Ajo e di se mesfushori me tipare sulmuese vazhdon të ketë admirues në Angli, ku shpreson ta shesë kësaj vere. Arsenali, Chelsea dhe Leicester mund ta dëshirojnë, por shifrat që afrojnë nuk arrijnë pretendimet e Barçës. Paratë saudite te Newcastle mund të jenë shpëtimi i fundit për Barcelonën. Nëse kjo ndodh, operacioni “Lautaro” bëhet plotësisht i realizueshëm.

E kundërta bën që “10” zikaltër të mbetet si një “mollë e ndaluar”. Argjentinasi vazhdon të mbetet përparësia e merkatos së Blaugrana-ve për këtë verë, ndërsa Interi mbetet i vendosur në respektimin e klauzolës 111 milionë euro. Nëse klubi italian nuk tundet, Barça do të duhet të sakrifikojë Coutinho dhe ta vendosë atë në tryezë të negociatave.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit