Coutinho në “pikiatë”, Barcelona pranon ta shesë për “kacidhe”

21 Mars 2019
9:13
Alfred Lleshi
back button

Barcelona është e gatshme të dëgjojë ofertat për Philippe Coutinho dhe është gati të bëjë një sakrificë të madhe financiare, për të hequr qafe brazilianin, i cili në Spanjë nuk ka dhënë atë që pritej.

Bordi i Barçës do të jetë i gatshëm të diskutojë ofertat që nisin prej 80 milionë eurosh, edhe me një humbje të konsiderueshme financiare, sepse e bleu brazilianin për 120 milionë euro në janar 2018, nga Liverpool.

Coutinho pritej të formonte një “tridhëmbësh” të fuqishëm në sulmin e Barçës, së bashku me Luis Suarez dhe Lionel Messi, por nuk i ka përmbushur pritshmëritë në Spanjë. Ndërkombëtari i Brazilit ka startuar në 16 ndeshje, ndërsa 10 ndeshje i ka luajtur si zëvendësues në këtë kampionat. Ai nuk i ka luajtur 90 minuta të plota që nga janari.

Gjithsesi, destinacioni i Coutinho-s mbetet mister. Një lëvizje e tij drejt Manchester United nuk duket e mundshme, shkruan “Goal.com”. “Djajtë e Kuq” kanë qenë të lidhur ngushtë me brazilianin, por rikthimi në Premier League nuk është aktualisht një opsion për Coutinho. Mesfushori nuk joshet nga ideja e kthimit mbrapa, pasi familja e tij luftoi për t'u përshtatur plotësisht me jetën në Angli, ndaj PSG shfaqet si opsioni më i besueshëm.

Klubi kampion i Ligue 1 është i vetmi gjigant europian, jashtë Anglisë, që i ka mjetet financiare për të përballuar pagën e lojtarit, ndërsa mundësia për t’u bashkuar me kolegët e kombëtares si Neymar, Thiago Silva dhe Marquinhos ka gjasa të ndikojë. 

Bayern Munich, i cili do ta përballonte pagën e tij, duket se ka gjasa të nënshkruajë me James Rodriguez për një marrëveshje të përhershme. Pavarësisht se PSG duket një opsion tërheqës për Coutinho, nuk ka ende kontakte. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit