Rodri Hernández, fituesi i freskët i “Topit të Artë”, ia dedikoi çmimin prestigjioz jo vetëm vetes, por një brezi të tërë futbollistësh spanjollë, të cilët, sipas tij, nuk kanë marrë vlerësimin e duhur:
“Spanja ka përjetuar momente të jashtëzakonshme në historinë e futbollit, jo vetëm me ekipin kombëtar. Është kurioze që vetëm një nga ata lojtarë donte t’i bënte nderime atij brezi të mrekullueshëm, që nuk arriti ta fitonte këtë çmim”.
Më pas Rodri shprehu mendimin e tij për Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, figura qendrore të futbollit modern. Pa hezituar, ai e cilësoi argjentinasin si më të mirin në histori:
“Messi është më i miri, nuk kam asnjë dyshim për këtë. Cristiano e ka barazuar në shumë aspekte, por nuk e ka talentin e lindur të Leos. Për ne lojtarët e tjerë, përballja me ta ishte një përvojë unike”.
Ai shtoi: “Messi ishte vdekjeprurës kudo që ishte në fushë. Gjithçka që duhej të bënte ishte të prekte topin. Nëse topi arrinte në këmbët e tij, diçka do të ndodhte me siguri. Ky është ndryshimi që e bën atë unik”.
Aktualisht i dëmtuar, Rodri, një nga lojtarët kyç të Manchester City, i mungon shumë klubit të tij, edhe kombëtares spanjolle. 28-vjeçari ka qenë një pikë kyçe në mesfushën e Pep Guardiolës, por është e pamundur që të kthehet në fushë këtë sezon. Gjatë rikuperimit të tij, Rodri ka kaluar kohë duke ndjekur ndeshje dhe marrë pjesë në intervista, ku ka ndarë mendimet e tij për kundërshtarët më të vështirë që ka hasur.
Në një paraqitje të fundit, në një emision televiziv spanjoll, Rodri u pyet për lojtarët më sfidues që ka luajtur kundër tyre. Mesfushori u kthye pas në kohën e tij në La Liga me Atletico Madridin dhe pastaj reflektoi mbi betejat në Premier League.
“Në përgjithësi, kundërshtari më i vështirë ishte Lionel Messi, gjatë viteve të tij më të mira, – pranoi Rodri. – Në Premier League më ka befasuar pa masë Mohamed Salah. Sidomos në ‘Anfield’, ai është një ‘bishë’ që vret gjithçka përpara tij. Është jashtëzakonisht e vështirë ta ndalosh”.
Rodri, i cili këtë vit u shpall fitues i “Topit të Artë” pas një sezoni fenomenal me Manchester City dhe Spanjën, theksoi gjithashtu se të përballesh me Salah në stadiumin e Liverpool-it është një detyrë veçanërisht sfiduese, duke vënë në dukje intensitetin dhe aftësitë e egjiptianit në ndeshjet me presion të lartë.