Dani Alves i “vë flakën” rrjetit, bën “moviolën” e penalltisë së Ramos nga Brazili

6 Korrik 2020
14:20
Alfred Lleshi
back button

Futbollisti brazilian i Sao Paulo, Dani Alves, nuk ka dashur ta humbasë rastin e të komentuarit të faullit të Sergio Ramos ndaj Raúl García në ndeshjen Athletic-Real Madrid 0-1, i cili konsiderohet si penallti (e padhënë) nga vendësit dhe opinion futbolldashës katalanas. Në fakt, 11-metërsh pati në zonën tjetër të rreptësisë, në favor të të bardhëve, që fituan me vështirësi 1-0. Ramos realizoi nga pika e bardhë. Kjo ishte penalltia e pestë për kryesuesit e La Liga-s, pas rifillimit të kampionatit, që u ndërpre në mars prej Covid-19.

Ish-futbollisti i Barcelonës, Dani Alves, iu përgjigj përmes Twitter-it një ndjekësi, që e pyeti për faullin e Ramos. Braziliani tha se ekziston një favorizim i caktuar ndaj Real Madridit: “Një ditë ata na mësuan se duhej të bënim shumë më tepër sesa ato që bëjmë, ose nuk do të na mjaftonte. Dhe kështu ishte…”

Vetë Ramos e pranoi se kishte shkelur lojtarin e Athletic, por në mënyrë të pavullnetshme: “Është e vërtetë që e shkel këmbën e atij, por jam me shpinë, nuk është e vullnetshme. Unë nuk e shoh Raúl García, asgjë më shumë”. As gjyqtari dhe VAR-i nuk e konsideruan të domosdoshme ndërhyrjen për të rivlerësuar situatën.

Mesazhi i Alves erdhi disa orë pasi Josep Maria Bartomeu, presidenti i Barçës, bëri deklarata me të njëjtin efekt: “VAR, gjithmonë favorizon të njëjtën gjë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit