Daniel Dubois shkatërron Anthony Joshua, fiton me KO dhe shpallet kampion bote në peshën e rëndë

21 Shtator 2024
23:32
Telesport
back button

Boksieri britanik Daniel Dubois është kampioni i ri i botës në peshën e rëndë në kategorinë IBF. Në stadiumin “Wembley” të Londrës, ai mundi me KO në raundin e pestë patriotin e tij Anthony Joshua, në një sfidë pa histori.

Një rezultat që është konsideruar disi surprizë, pasi Joshua ka qenë dy herë kampion bote dhe konsiderohej favorit, por kjo nuk mjaftoi. Madje në 5 raunde, Joshua u rrëzua 4 herë në tapet, duke mos qenë në asnjë moment të rivalizojë.

Në momentin që ra në tapet për të katërtën herë, ai nuk ishte më në gjendje të ngrihej, cka e bëri edhe më spektakolare fitoren e Dubois, që tashmë mban titullin kampion që ishte vakant (titulli IBF iu hoq Usyk dy muaj më parë).

Që në raundin e parë u pa qartë se Dubois (22 fitore e 2 humbje) do të triumfonte, kur hodhi në tapet Joshua për herë të parë. Ky i fundit nuk ishte në gjendje të mbrohej e të reagonte, duke mos arritur dot të tregojë vlerat e tij në ring.

Joshua (28 fitore e 4 humbje) përpiqet të japë shenja reagimi por e pëson edhe në raundin e dytë e kështu me radhë. Ai thuajse rrëzohet në cdo raund, duke mos qenë në gjendje të qëndrojë në këmbë deri në momentin që humbet me KO.

Daniel Dubois, që mbante titullin e përkohshëm të këtij Divizioni, tashmë është kampion bote dhe tregoi aftësitë e tij në ring përballë 96 mijë shikuesve. “Kjo ishte sfida më e madhe e karrierës time. Tani dua më shumë”, tha Dubois pas sfidës.

Të pranishëm anash ringut edhe dy boksierët e tjerë të mëdhenj në peshën e rëndë, ukrainasi Oleksandr Usyk (mban titujt WBA, WBO, WBC) dhe Tyson Fury si dhe mjaft kampionë të tjerë, përfshi edhe Conor McGregor. Të gjithë shijuan një duel të madh boksi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit