“Unë mendoj se Spalletti është trajneri ideal për Italinë, e cila ka nevojë për qartësi dhe ide. Ai është njeriu i duhur”. Kështu u shpreh Gianni De Biasi, ish-trajneri i Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, duke analizuar kombëtaren axurre.
Retegui dhe Kean janë të parët dhe të dytët në listën e top-golashënuesve. A e ka zgjidhur Italia problemin e sulmit?
Të dy kanë karakteristika të mira. Janë të ndryshëm, por mund të luajnë bashkë. Më pas do të kthehet Scamacca, një sulmues me peshë dhe cilësi, i fortë fizikisht. Mbetet për t’u parë se si do të kthehet nga lëndimi, por ai ka ende shumë për të dhënë.
A ka ndonjë lojtar të thirrur kohët e fundit në kombëtare, që ju pëlqen veçanërisht?
Më pëlqen fakti se Spalletti i zgjeron pak zgjedhjet e tij, nuk është i mbërthyer te lojtarët e zakonshëm. Savona është padyshim interesant, po luan një kampionat të mirë. Ka hapësira të mëdha për t’u përmirësuar, duhet të fitojë përvojë. Më pëlqen edhe Rovella, i cili është dinamik, di ta udhëheqë topin, të gjuajë nga jashtë… Ndoshta duhet ta përdorë më shumë talentin e tij. Po zhvillon një sezon të mrekullueshëm, është shumë i fortë për sa i përket cilësisë dhe sasisë. Pastaj ai luan në role të ndryshme, është në përputhje me futbollin e sotëm.
Le të kalojmë te Serie A, cilin ekip shihni favorit për titullin?
Fakti i të pasurit 6 ekipe të ndara nga 2 pikë tregon se Seria A është shumë më e bukur dhe më argëtuese se në sezonet e kaluara, në të cilat u kuptua menjëherë se kush mund të ishte lider i kampionatit. Mbretëron pasiguria, është e vështirë të bësh një parashikim, por Napoli nuk ka angazhime në Kupat e Europës dhe kjo përbën avantazh.
Milani duket se është në vështirësi. Pse?
Më pëlqen shumë si ekip, ka potencial, mjaft lojtarë premtues, por diçka mungon ndoshta në përvojë, në aftësinë për të formuar një ekip, një grup… Është aspekti më i vështirë për t’u vlerësuar. Nëse futesh në dhomat e zhveshjes mund t’i kuptoni më mirë problemet.
Ndër trajnerët e “rinj”, kush ka pasur ndikimin më të mirë?
Conte hyri te Napoli me këmbën e duhur dhe imponoi filozofinë e vet të futbollit: përqendrim i madh, punë e madhe në aspektin fizik, çka është gjëja më e rëndësishme, dhe aftësia për t’i mbajtur lojtarët në rrugën e duhur, gjë që bie në sy.
Ranieri po kthehet te Roma, një zgjedhje e vështirë për t’u parashikuar nga “Friedkins”…
Ai është një garanci e seriozitetit, punës, pasionit dhe dashurisë për ngjyrat verdhekuqe. E kam kujtuar gjithmonë si një person serioz, me përulësinë e duhur, por edhe me dëshirën për të treguar se është trajner i shkëlqyer. Ai u nënvlerësua për një kohë të gjatë derisa fitoi Premier League. Prej andej meritoi një konsideratë tjetër, por ka qenë gjithmonë trajner që di të nxjerrë më të mirën nga lojtarët në dispozicion.
A është trajneri i duhur për Romë?
I vetmi që mund ta qetësojë është ai; di të flasë me njerëzit. Ai është roman dhe një tifoz i Romës, zgjedhja mund të jetë vetëm e drejtë.