Mesfushori belg Kevin De Bruyne nuk ka rënë dakord me Manchester City për të rinovuar më tej kontratën e cila skadon pas një viti. Për pasojë, ai pritet të largohet si lojtar i lirë verën e vitit 2025.
33-vjeçari ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me Manchester City dhe prej kohësh përflitet për një lëvizje në Arabinë Saudite, madje që këtë verë. Gjithsesi, sipas vetë De Bruyne, këto histori janë të parakohshme.
De Bruyne tha se mund ta ketë të vështirë të refuzojë joshjen e një lëvizjeje me parà të mëdha jashtë Anglisë. “Kam ende një vit në kontratën time, kështu që duhet të mendoj se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”, tha De Bruyne.
“Djali im i madh tani është tetë vjeç dhe nuk di asgjë tjetër përveç Anglisë. Ai gjithashtu pyet se sa kohë do të luaj për Manchester City. Sapo të vijë momenti, ne do të duhet ta trajtojmë atë në një mënyrë të caktuar”, tha mesfushori belg.
“Në moshën time, duhet të jesh i hapur për gjithçka. Bëhet fjalë për shuma të pabesueshme parash në atë që mund të jetë fundi i karrierës sime. Ndonjëherë duhet të mendoni për këtë”, u shpreh Kevin De Bruyne.