Mesfushori i Manchester City, Kevin de Bruyne ka lënë të kuptohet se do të qëndrojë në “Etihad Stadium” edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht thashethemeve se ai mund të transferohet në Arabinë Saudite. Belgu do të respektojë kontratën me kampionët e Anglisë, që skadon pas një viti.
Zërat për një transferim te klubet sauditeu rritën pasi De Bruyne u takua me drejtorin sportiv të Ligës Saudite, Michael Emenalo, në Kupën e Botës për klube në dhjetor. Gjithsesi, i pyetur nga mediat belge, nëse është e sigurt se do të mbetet te Manchester City, De Bruyne u përgjigj: “Po!”.
“Kam lexuar shumë tituj për një transferim në Arabinë Saudite, por nuk kam folur me askënd. Po. E takova Emenalon në Kupën e Botës për klube. Unë e njoh Michael, ndaj është normale që mund të bëjmë një bisedë mes miqsh. Por nuk bëhej fjalë për ndonjë transferim”, tha De Bruyne.
“Kam nënshkruar kontratën time në kohën e duhur. Nëse ka një ofertë të mirë dhe i thoni Pep Guardiola se doni të largoheni, kjo është e mundur. Kjo mund të jetë ndryshe në klubet e tjera, por unë kurrë nuk kam treguar se dua të largohem. Kam mjaftueshëm parà”, u shpreh mesfushori belg.
“Gjithsesi, nëse vjen një sasi absurde… kjo është edhe për familjen time, të afërmit e mi, nipërit e mbesat e mia, stërnipërit e mi dhe miqtë e mi”, tha De Bruyne, që në lidhje me sezonin e ri shtoi:
“Një sezon i çmendur po vjen për City me më shumë ndeshje. Ajo duhet të mbetet e realizueshme fizikisht dhe mendërisht. Nëse vazhdoj të ndihem mirë, ndoshta do të jem i disponueshëm kudo. Unë thjesht nuk e di se si do të jetë viti i ardhshëm”.