De Gea, fenomenal te penalltitë ndaj Milanit. Kjo nuk ndodhte në Serie A që nga viti 2016

7 Tetor 2024
8:30
Alfred Lleshi
back button

Theo Hernandez dhe Tammy Abraham gabuan përballë tij, nga pika e bardhë. Ose më mirë të themi, triumfoi portieri spanjoll. Nuk janë sekuencat e një ndeshjeje kupe me një penallti pas tjetrës, por sfida e Serie A, mes Fiorentinës dhe Milanit 2-1, ku “duart e mëdha” të David de Gea bënë të gjithë diferencën e botës.

“Gardiani” i skuadrës vjollcë demonstroi aftësitë e tij për t’i hipnotizuar kundërshtarët në largësinë e 11 metrave. Dy penallti të neutralizuara në të njëjtën ndeshje, gjë e rrallë në futboll, çka nuk kishte ndodhur që nga viti 2016 në Serie A. De Gea e kishte bërë diçka të tillë edhe ndaj Fulhamit, para ndërprerjes së tij të gjatë (pa ekip).

Një rikthim në nivele të shkëlqyera për portierin spanjoll, kampionin që qëndroi larg fushave për më shumë se një vit duke u stërvitur i vetëm, ndërsa priste thirrjen e duhur për t’i mbërritur. Pranoi Fiorentinën verën e këtij viti, natyrshëm i rrethuar me skepticizmin tipik toskan.

Në vend të kësaj, ish-lojtari i Manchester United zuri vendin e titullarit, duke e testuar tashmë veten në “play-off” e Ligës së Konferencës kundër Puskas Academy, deri në pikën e superheroit kundër Milanit në të dielën e 6 tetorit.

Sipas të dhënave statistikore, që kur “Opta” nisi të merrej me këtë punë (2005-2006), Fiorentina-Milan 2-1 është ndeshja e parë e Serie A, në të cilën u pritën 3 penallti, që nga viti 1991, në Inter-Verona. Portieri i fundit, i aftë për të pritur dy penallti në të njëjtën ndeshje, ishte Federico Marchetti me fanellën e Lazios kundër Carpi, në maj 2016, më shumë se 8 vite më parë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit