De Jong i premton besnikëri Barcelonës, udhëzon agjentin e tij të refuzojë çdo ofertë në merkato

8 Prill 2025
10:04
Alfred Lleshi
back button

Në shtëpinë e Barcelonës po flitet shumë për të ardhmen e Frenkie De Jong. Me shpërthimin e Casadò dhe paraqitjet prej veteranësh, pavarësisht moshës së re, të Pedrit e Gavit, holandezi dukej se do të ishte një nga të sakrifikuarit e klubit. Por këtë sezon, me ardhjen e Hansi Flick, ai është kthyer në qendër të hierarkisë dhe tani e ardhmja e tij mund të vazhdojë të jetë me ngjyrat blaugrana.

Jo rastësisht, siç raporton “Mundo Deportivo”, lojtari i ka dhënë udhëzime agjentit të tij, Ali Dursun, të mos dëgjojë asnjë ofertë në merkato, pasi dëshiron t’i japë përparësi rinovimit me Barcelonën.

Drejtuesit e klubit janë të gatshëm të ulen në tryezë për të diskutuar, por drejtori sportiv Deco, sipas gazetës, do t’ia lërë vendimin përfundimtar trajnerit Flick. Gjithsesi, nuk duket se ka ende kohë të pjekur për negociata të avancuara dhe të dyja palët do të presin të paktën fundin e sezonit për të parë si do të paraqitet lojtari i lindur në vitin 1997 në kampionat dhe në Champions League.

Megjithatë, edhe pse është joshur nga Manchester United, Liverpool-i dhe disa klube arabe, enturazhi i De Jong ka dashur të hedhë poshtë çdo dyshim mbi mundësinë që ai të largohet si lojtar i lirë në fund të kontratës. Holandezi ka sqaruar se, për korrektësi, nuk po e merr fare në konsideratë idenë për të ikur nga Barcelona pa i sjellë përfitim klubit katalanas.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit