Frenkie de Jong foli në të njëjtën natë, kur u rishfaq në fushë pas pothuajse 5 muajsh i dëmtuar. Mesfushori holandez pranoi se kishte pasur një kohë të vështirë gjatë gjithë kohës që ishte jashtë, ndërsa ishte mirënjohës për ovacionet që mori në “Montjuïc” kur doli për të bërë nxemjen.
“Jam shumë i lumtur që u ktheva në fushë dhe po luaj sërish futboll. Falenderoj tifozët për pritjen, nuk e prisja dhe jam i lumtur për mënyrën se si njerëzit më trajtojnë”. Në fakt, duartrokitjet që i bënë tifozët blaugrana ishin vërtet surprizuese, sepse nuk e kishin parë të luante për 163 ditë.
Për holandezin e rikthyer në fushë pas 163 ditësh dëmtim, trajneri Hansi Flick nënvizoi: “Për Frenkie de Jong ky rikthim ishte një hap themelor. I duhet pak kohë, por vrapoi dhe e shoh duke bërë mirë. E njëjta gjë për Ansu, kemi synimin për ta rikthyer atë në nivelin më të mirë”.